Shërbimi shëndetësor në fshatin Kryshec të Pejës dhe funksionimi i Spitalit Ushtarak të UÇK-së…

16 shkurt 2025 | 13:34

-Shërbimi shëndetësor në fshatin Kryshec të Pejës dhe funksionimi i Spitalit Ushtarak të UÇK-së nga mesi i muajt gusht deri më 8 shtator 1998.  

Sektori i shëndetësisë në luftë është jo vetëm i rëndësishëm por edhe jetik e i domosdoshëm. Pjesëtaret e UÇK-së që plagoseshin çdo ditë në frontet e luftës u nevojitej ndihma dhe trajtimi përkatës mjekësor, si dhe përkujdesja mjekësore i nevojitej edhe popullsisë civile.

Kosovën e kishte kapluar një krizë e thellë politike ekonomike gjatë viteve 1989 -1990, të gjithë shqiptarët u larguan nga puna. Në komunën e Pejës shumica e ambulancave ishin mbyllur. Kontaktet e para për të hapur një ambulancë në fshatin Kryshec të Pejës me Prishtinën, në veçanti me dr. Gani Demolli i zhvilluan aktivistët e këtij fshati Remzi Berisha dhe Halil Qerreti. Lokalin për të hapur ambulancën e parë e lëshojë z. Rexhep Qerreti i cili ishte drejtor i shkollës fillore. Objekti ku do të hapej ambulanca ishte në qendër të fshatit dhe për rindërtim të tij u përkujdesen Islam Berisha, Besim Qerreti dhe Haki I. Berisha.

Për blerjen e materialit po thuajse të gjithë kryefamiljarët ndihmuan, në veçanti z. Rexhep Gashi. Të gjitha shtëpitë e fshati Kryshec me rend u pajtuan të sjellin bukë në ambulancë.

Dr. Rustem Gashi ishte i pari që pranojë të punonte tërë kohen në ambulancë, pastaj u angazhua dr. Zenel Ahmetaj dhe dr. Shytë Shala, ndërsa motra medicinale u angazhuan Vjollca Kastrati nga fshati Doberdol dhe Byte Aliaj nga fshati Zllapek.

Me datën 28.02.1996 u hap ambulanca në fshat dhe manifestimi i hapjes u  organizua në xhamin e fshatit, ku të pranishëm ishin shumë shoqata humanitare. Më meritor ishte dr. Gani Demolli. Në këtë ceremoni fjalën përshëndesë dhe për  rëndësinë e kësaj ngjarje e kishte z. Remzi Berisha.

Në ambulancë u vendos orari i punës sipas kësaj renditje, të hënën prej orës 8:00 – 15:00 punonte dr. Shytë Shala – gjinekolog. Ditëve në vazhdim e martë, mërkurë, enjte  dhe e premte punonte dr. Rustem Gashi, i cili është një hero i rrallë në shëndetësi, ndërkaq të shtunën punonte dr. Zenel Ahmataj, kurse tërë javën punonin dy motrat medicinale Vjollca Kastrati dhe Bute Aliaj. Në barnatore gjithë kohen punonte Remzi Berisha dhe kohë pas kohe Shefqet Gashi.

Dr. Rustem Gashi krijojë bashkëpunim me kolegë të tjerë dhe u angazhuan si specialist dr. Sylë  Bruqi – ORL, pastaj u angazhua pediatri dr. Dinë Krasniqi dhe dr. Sylë Berisha.

Furnizimi me barna e bënin qendra nga Prishtina si dhe shoqatat humanitare; ‘Mjekët pa Kufi’ dhe ‘Farmacistët pa Kufi’ etj. Transportimi e këtyre barnave e  bënte Remzi Berisha, i cili ishte administrator në ambulancë. Ai çdo muaj raportonte në Prishtinë për vizitat e pacientëve në këtë ambulancë si dhe për rrjedhën e menaxhimit të barnave.

Shpenzimet për furnizim dhe raportim i mbulonin banorët e fshatit duke ndihmuar në mënyrë vullnetare. Në shumë udhëtime deri në Prishtinë z. Ramiz Berishën e shoqëronin me makinat e tyre Islam Berisha, Shaban Gashi, Dinë Berisha, Vebi  Berisha, Bashkim Gashi, Avdi Gashi, të cilët jo rrallë herë u keqtrajtuan nga forcat serbe gjatë kalimit nëpër punkte policore, të cilët i bëni ftesa për gjoja biseda informative. Ambulanca në Kryshec të Pejës vizitohej nga të sëmurit e shumë fshatrave të rrethinës së Pejës, Klinës, Deçanit si dhe fshatra të Dushkajës së  Gjakovës. Numër të madh të pacientëve kishte kjo ambulantë, ishte një motiv shtesë për punë si dhe ishte një  rregull i mirë i gjithë stafit të angazhuar. Po ashtu përgjegjësia morale ishte e lartë nuk kishte keqpërdorime me barna gjatë gjithë asaj kohe sa punonte ambulanca në fshatin Kryshec.

Era e luftës po trokitej edhe në Kosovë dhe që nga viti 1997 disa mjekë nga Krysheci  filluan bashkëpunimin edhe me dr. Adem Çekaj nga fshati Irzniq  i cili ishte koordinator për komunë te Deçanit te furnizohem me mirë dhe te përgatitem për situata emergjent te luftës.

Fillimi i luftës frontale në Dukagjin sidomos pas 24 marsit 1998 i gjithë stafi në ambulancën e Kryshecit u vu në shërbim të luftës fillimisht dërguan barna në fshatin Gllogjan, në shtëpinë njëkatëshe në familjen Mehmetaj.

Angazhimi i parë i stafit mjekësor ishte kërkesa për t’i dalë në ndihmë luftëtarit plagosur tash hero i Kosovës, Shkëlzen Haradinaj, i cili ishte plagosur në betejën e Baballoqit në prill të vitit 1998. Për të shpëtuar jetën e Shkëlzenit kërkohej të intervenonin dr. Shyqri Mema, dr. Rustem Gashi si dhe Bute Aliaj që me makinë për në Gllogjan i dërgojë Avdi Gashi, Remzi Berisha dhe Vebi Berisha.  Intervenimi i Shkëlzenit u bë në oden e burrave dhe falë angazhimit maksimal të mjekëve arriti që shumë shpejt Shkëlzen Haradinaj t’ju bashkëngjitet luftëtarëve të UÇK-së. Pas themelimit të spitalit ushtarak në fshatin Irzniq kah fundi i prillit 98, stafi i ambulancës në Kryshec e ndihmojë për të siguruar dhe bartur pajisjet shëndetësore dhe për ta furnizuar me barna të nevojshme.

Më 25.05.1998 themelohet shtabi lokal i UÇK-së në fshatin Kryshec dhe pikërisht nga ky shtab i UÇK-së, veprimtari Remzi Berisha emërohet përgjegjës për shëndetësi pasi që ishte udhëheqës në ambulantë për disa vite. Data 25 maj  është edhe fillimi i funksionit të ri ushtarak të ambulancës në Kryshec, mirëpo tri ditë pasi sulmohet fshati Kryshec nga forca të mëdha ushtarako-policore serbe dhe nga frika për një sulm të mundshëm në ambulancë Remzi Berisha urdhërohet të zhvendos ambulancën në fshatin Dubovik.

Shtabi i UÇK-së angazhoi Fahri Gervallën që të ndihmojë grupin për zhvendosjen e ambulancës, të përberë nga Ramiz Berisha, Shefqet H. Gashi, Naim S. Gërvalla.  Ambulanca në fshatin  Dubovik u vendos në shtëpinë e Ramë  Muhamet Shala ku do të funksionojë deri në fillim të gushtit 1998.

Në ambulancën e vendosur në fshatin Dubovik punuan stafi i njëjtë, të prirë nga  dr. Rustem Gashisi, Vjollca Kastrati dhe Bute Aliaj, ndërsa mjekët që ishin të angazhuar në Kryshesc dr. Zenel Ahmetaj dhe dr. Sylë Bruqi ishin angazhuar në ambulantën e Isniqit. Dr. Rustemi së bashku me Remzi Berishën e ndihmojnë me barna ambulancën në fshatin Isniq si dhe atë në fshatin Prapaqan, ku u angazhua  dr. Shytë Shala. Ofensiva serbe e gushtit ishte më e përgjakshmja. Ishin vrarë nëpër vija të frontit mbi 50 luftëtarë, ishin plagosur mbi 60 të tjerë dhe spitali ushtarak në Irzniq duhej tërhequr së bashku me personel dhe të plagosur të cilët mbetën keq.

Me angazhimin e dr. Rustem Gashit së bashku me Remzi Berishën kishin identifikuar si shtëpi me të përshtatshme për vendosjen e spitalit ushtarak, shtëpinë e Haxhi Shaban Berishës, i cili pa hezitim me vullnet të madh  me të gjithë djemtë e tij Isën, Rrustemin dhe Selmonin u angazhuan për të ndihmuar luftën çlirimtare.

No description available.

Foto: Shtëpia e Haxhi Berishës (Kryshec), në të cilën ishte vendosur Spitali Ushtarak nga data, 12 gusht deri më 8 shtator 1998.

Shtëpia ishte shumë e përshtatshme për punë. Në podrumin, i cili ishte mjaftë i madh dhe shumë i përshtatshëm, nga mjekët u vendos të bëhej sallë e operacionit. Barnatorja, urgjenca dhe disa shtretër për trajtim postoperativ, ndërsa në katin përdhes ishte vendosur dhoma e personelit mjekësor. Ndërsa në katin lartë ishin dhomat ku ishin të shtrirë të plagosurit. Infermieri i këtij fshati Zenel Berisha kishte sjellë çarçafë dhe peshqirë të mbledhur nëpër fshat për nevoja të Spitalit ushtarak në Kryshec.

Spitali ushtarak në fshatin Kryshec shumë shpejt u kompletua me staf mjekësor  si dhe e gjithë aparatura e spitalit ushtarak të Irzniqit u vu në funksion pasi kishte arritur të shpëtohej pa u dëmtuar.

Në spitalin e Kryshecit punonin mjekët pothuajse të njëjtë që kishin punuar edhe në Spitalin e Irzniqit si: Dr. Avdyl Krasniqi, Dr. Ilmi Shehu, dr. Iliriana Hasaj, Dr. Time Kadrijaj, Dr. Rrustem Gashi që ka punuar ditë e natë. Pas një kohe të shkurtër në këtë spital u bashkëngjitën mjekë dhe infermierë të fshatit Loxhë siç ishin: Dr. Mustafë Shala, Dr. Fazli Shala, infermierja Sadije Ademaj, studentja e mjekësisë Resmije Ademaj.

Me vendosjen e spitalit ushtarak në fshatin Kryshec edhe përgjegjësia ushtarake pësoi ndryshime. Ushtrues i detyrës së drejtoreshës së spitalit emërohet dr. Ryve  Loshaj e cila caktohet edhe koordinatore për shëndetësi për Rrafshin e Dukagjinit, ndërsa zëvendës ishte emëruar dr. Hilmi Shehu. Për sigurimin e objektit angazhuan ushtarë që ishin të vendosur në Kazermën e Prapaqanit, mirëpo shumë shpejt ata u zëvendësuan me luftëtarë të Kryshecit. Shumë njerëz ndihmuan që në fillim të punës spitalin, si Bashkim Berisha, Ibrahim A. Gashi, Isë Berisha, Demë  I. Berisha, të cilët bëni roje te spitali. Për të siguruar ushqimin e të plagosurve si dhe stafit mjekësor u obligua stafi i kuzhinës së fshati që ishte funksional me herët. Po ashtu kah mesi i muajt gusht me urdhër të shtabit Remzi Berisha e bën zhvendosjen e ambulancën në fshatin Kryshec që sado pak të lehtësonte fluksin e madh të banorëve të sëmurëve në spitali, pra që vizitat mjekësore të sëmurëve të kryheshin në ambulancë dhe spitali të shërben më shumë për të plagosur.

No description available.

Spitali ushtarak në Kryshec u ndihmua dhe u vizitua nga ekipi i emergjencës nga Peja, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar me përfaqësuese Maggie Bryson nga Zelanda e Re, dr. Ilir Tolaj, dr. Shpëtim Robaj, dr. Cenë Bytyqi, Mirlinda Bunjaku, Flaka Surroj  etj.

Në spitalin e Kryshecit trajtoheshin një numër i madh të plagosurve të  komandantëve dhe luanëve të shquar si: Daut Haradinaj, Enver Haradinaj, Bujar Haradinaj, Yll Morina, Arbër Spahia, Arben Bobani, nga Gjakova pastaj heroi  Skënder Çekaj e shumë e shumë luftëtarë lirie.

Në këtë spital u operova edhe unë nga plagët e marra më 11 gush 1998 në pozicionet e Gerdajave në fshatin Carrabreg të Ultë. Dr. Hilmi Shehu erdhi në fshatin Llugaxhi në shtëpinë e Gjon Berishës, regjioni i Lugut të Baranit ku isha i strehuar dhe mu drejtua me fjalët: “Tezak shpëtuat. Kanë ardhur disa mjekë nga Prishtina me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe shumë  shpejt duhesh të shkojmë  në spitalin e Kryshecit për të operuar”.

Në spitalin e Kryshecit mbërrita shumë shpejt. Në podrumin e asaj shtëpie ishin duke u përgatitur luftëtarët që të operoheshin në një sall të veçantë. Mjeku që u afrua të bisedojë me mua ishte një burrë i gjatë, i cili me tha se shume shpejt do të operojmë dhe do të shpëtosh. Mënyra e komunikimi të tij me japi të kuptoj se ka një kulturë të lart njerëzore. Pastaj erdhi dr. Cen Bytyqi, i cili me tha se specializuar në ortopedi në Zvicër. Ai tha se fiksatorin  që do ta vendosim në këmbë të parët e kanë zbuluar italianët dhe se ketë e keni ndihmë nga shteti turk për ju – luftëtarët e UÇK-së. Këtë bisedë që e zhvilluam ishte shpresë për mua dhe bashkëluftëtarët që ishim aty duke pritur në rend.

No description available.

Anestezionin lokal që ma piu gjysmën e trupit ma dha dr. Shpëtim Robi, i cili edhe pse unë isha në gjendje shumë të rëndë shëndetësor, dr. Shpëtimi me bëri të qesh me humorin dhe bisedën që zhvilloj në ato momente gjatë operimit.

Ushtarët e plagosur pas operimit dhe ata që e mërishmi trajtimin e duhur shpërndaheshin në shtëpi me të sigurta kështu edhe unë do të qëndrojë në fshatin Vranoc të Pejës në shtëpinë e Enver Krasniqit, ndërsa Enver Haradinaj me disa luftëtarë  do qëndron në shtëni e heroit Ardian  Krasniqit për trajtimin mjekësor pra pastrimin e plagëve pothuajse çdo ditë do të kujdeset dr. Ali Berisha së bashku me  motrën Hidajete Krasniqi.

Gjatë qëndrimet në fshatin Kryshec me duhet të falënderoj Sali Sh. Qaka që me strehoj për pak ditë në shtëpi.

No description available.

Foto: Në  Spitalin Ushtarak në Kryshec, 18 gusht 1998, së bashku me dr. Time Kadriaj dhe nëna Nifë që shumë herë zemra i pikoj gjak por asnjë lot në sy nuk ia pash kur luftoja për jetë a vdekje pas plagëve të marra më 11 gusht 1998.

Në këtë spital do të shërohen me qindra e qindra luftëtarë gjerë më 8 shtator kur u largua i gjithë stafi mjekësor duke përfshi përgjegjësen dr. Ryve Loshaj, dr. Hilmi Shehu, dr. Time Kadriaj, dr. Ilirjana Hasaj, dr. Mustaf Shala si dhe motrat medicinale  Sadije Ademaj, absolvent e mjekësisë  Resmije Ademaj, ndërsa mjeku i fundi që do të largohet ishte dr. Rrustem Gashi citoj: “Unë së bashku me dy infermieret Bute Aliaj dhe Vjollca Kastrati përderisa kisha mbetur i vetmi mjek që përkujdesesha për shëndetin e ushtrave të plagosur rëndë. Për një qastë një fshatar ka ardhur me vrap dhe me njoftoi që forcat serbe kane hyrë në fshat pikërisht në Lagjen e Gërvallajve.  Ishte një situatë mjaftë e rëndë në spital kishte 12 ushtarë të plagosur rëndë, pothuaj të palëvizshëm të cilët po vazhdonin të merrnin tretmanin mjekësor. Si pasojë e situatës mjaftë dramatike të krijuar, dhe i ndodhur para një sfidë tepër të madhe jetësore vendosa të largohem me mjaftë peripeci nga aty”.

No description available.

Foto: Së bashku me dr. Ali Berishën, i cili që nga nëntori 1998 ishte emëruar përgjegjës për shëndetësinë e Zonës Operative të Dukagjinit.

Nuk mund të përshkruaj me fjalë ditën kritike të datës 8 shtator 1998. Për herë të parë shikoj mjekun e luftës dr. Ali Berishën duke i rrjedhur lotët nga sytë e tij, i cili e ndien veten të pafuqishëm përball kësaj situate aspak të lehtë mu në qendër të fshatit Kryshec të Pejës.

Banorët dhe luftëtarët e fshati Kryshec të Pejës kanë dhënë kontribut të madh gjatë luftës çlirimtare. Vlen të ceket pjesëtari i Njësisë Speciale “Shqiponjat e Zeza” Ilir Gashi i cili si 17-vjeçar iu bashkua UÇK-së.

No description available.

Foto: Ilir Gashi, epror i  Njësisë  Speciale “Shqiponjat e Zeza” të UÇK-së

Një meritë të veçantë kanë banorët dhe ushtarët e fshati Kryshec, të cilët dhanë ndihmë të pakursyer për të plagosurit dhe ekipin mjekësor që u angazhuan fillimisht  në ambulancën e fshatit e pastaj në Spitalin Ushtarak të Zonës Operative të Dukagjinit.

Autor: Ismet Haskaj

P.S / Për çdo sugjerim apo plotësim, mirëpres bashkëpunimin tuaj.

Prishtinë, shkurt 2025

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barcelona është duke u bërë gati për merkaton e parë…