Shërbyesit civilë në Prishtinë hyjnë në grevë nga e hëna, kërkojnë rritje 40 për qind të pagës
Shërbyesit civilë të Komunës së Prishtinës kanë bërë të ditur se që nga data 28 e këtij muaji do të fillojnë një grevë si shenjë proteste ndaj projektligjit për paga, të cilin e cilësojnë si diskriminues.
Këshilli grevist ankohet se ky projektligj ka shkelur parimin e pagës së barabartë, që nënkupton se secili përfitues i pagës merr pagë të barabartë për punën në funksion, pozitën apo gardën.
“Shërbyesit civilë të Komunës së Prishtinës, janë të pakënaqur me këtë projektligj dhe kanë formuar Këshillin grevist, duke shprehur pakënaqësitë për këtë projektligj sepse ndjehen të diskriminuar”, shkruan në komunikatën e dërguar.
“Këtë kërkesë ia kemi adresuar kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, ministrisë së Administratës Publike dhe Komisionit për hartimin e draft-ligjit. Po ashtu, për këtë çështje jemi takuar pesë herë me Besnik Tahirin i cili është koordinator i Kryeministrit. Meqenëse deri tani organet përgjegjëse nuk kanë kthyer asnjë përgjigje me shkrim për kërkesat tona, Këshilli grevist në takimin e mbajtur sot, në mënyrë unanime morën vendim që nga data 28.01.2019, i gjithë stafi i shërbyesve civilë i Komunës së Prishtinës, do të fillon grevën deri në realizimin e kërkesës”.