Shërbyesit civilë protestojnë para qeverisë, kanë tri kërkesa urgjente
Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës dhe Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar buxhetimin e mjeteve për implementimin e Ligjit të pagave në Ligjin për buxhet për vitin 2022, marrëveshjen e përgjithshme kolektive dhe sigurimin shëndetësor.
Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës, ka thënë se që 20 vjet janë duke u injoruar nga institucionet. Sipas tij, paga minimale nuk duhet të jetë më e vogël se 350 euro.
“Sot një pjesë e strukturave të shërbyeseve civilë kemi dalë të protestojmë pasi u injoruam që 20 vjet e po ashtu edhe nga kjo qeveri që erdhi për transparencë. Sindikata e Pavarur e Administratës ka ardhur në përfundim se trajtohemi në mënyrë të pabarabartë. Përmes kësaj proteste kërkojmë të procedojnë me Ligjin e Pagave. Të fillojë sa me parë sigurimi shëndetësor, paga minimale mos të jetë më e vogël se 350 euro”, ka thënë Gashi.
Ndërsa Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së, ka thënë se janë duke bërë përpjekje që ta fillojnë dialogun me qeverinë.“Ne po mundohemi që sa më parë të fillojmë një dialogë me Qeverinë e Kosovës dhe me ministritë përkatëse. Ne kërkojmë që sa me parë të ulemi dhe të diskutojmë dhe t’i përmbyllim këto protesta”, tha ai.
Në anën tjetër, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se janë të vendosur t’i realizojnë të drejtat e tyre. “Ende mungon dialogu, por ne kemi shpresë se do të ketë dialog. Si zë i përbashkët do t’i realizojmë kërkesat tona. Uroj që nga tani e tutje të dëgjohet zëri ynë”, ka thënë ai.
Edhe kryetari i FShSK-së, Blerim Syla, ka thënë të bashkuar do të arrijnë t’i realizojnë kërkesat e punëtoreve. “Sot ndihem i privilegjuar. Këta njerëz janë njerëzit më të rëndësishëm në funksionimin e shtetit e në të njëjtën kohë janë më të shkelurit. Por, së bashku do ia dalim”, ka thënë Syla.