Sherifi: Deklaratat e Mogherinit janë manifestim i hapur i nervozes së saj
Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka kritikuar qëndrimet e fundit ndaj Kosovës të shefes për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se deklaratat e fundit të zyrtares së lartë të BE-së janë manifestim i hapur i nervozes që e ka kapluar atë për shkak të vendimeve të institucioneve të Kosovës.
Sipas tij, vendimi për taksen 100%, formimi i ushtrisë dhe miratimi i rezolutës për dialogun nga Kuvendi janë vendime normale të një vendi sovran.
Ja statusi i plotë i Sherifit:
Deklaratat e fundit të Federica Mogherinit janë manifestim i hapur i nervozes që e ka kapluar atë për shkak të vendimeve të Institucioneve të Republikës së Kosovës siç janë:
1. Taksa 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.
2. Ndryshimi i ligjeve për transformimi e FSK-së në ushtri.
3. Miratimin e rezolutës dhe delegacionit shtetëror nga Kuvendi i Kosovës për bisedime me Serbinë!
Për më tepër reagimet e tilla janë shprehje se projekti për ndarjen e Kosovës ka pësuar goditje serioze.
Vendimet e Qeverisë dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk duhet të shihen ndryshe, pos si zhvillime normale të çdo vendi sovran!