Sherifi: Do ta dërgojmë Thaçin në kushtetuese nëse nuk e dekreton anëtarin e Nismës në KQZ
Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka kërkuar që presidenti Hashim Thaçi ta dekretojë kandidatin e kësaj partie në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ).
“Ne kemi pasur ftesë për emërim, por jo për dekretim. Ne presim nga presidenti të na informojë pse procesi është ndërprerë pa i njoftuar palët”, ka thënë Sherifi në një konferencë për medie.
Ai ka thënë se ftesa e dërguar për PDK-në nuk është ftesë për koalicionin PAN, ku bën pjesë AAK-ja dhe Nisma.
“Ftesa e dërguar PDK-së, nuk është ftesë e dërguar për PAN-in dhe nëse presidenti e dekreton anëtarin e PDK si të PAN, atëherë ai bën shkelje të rëndë të procedurave për emërim në KQZ, sepse Kushtetuta njeh grupet parlamentare”, ka thënë Sherifi, duke shtuar se nëse presidenti vepron ndryshe, rastin do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
“Ne gjithsesi rastin do ta dërgojmë në kushtetuese. Tashëm në Kuvend janë PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma. Nëse në Kuvend nuk ka PAN atëherë kujt ia ka dërguar kërkesën. Nëse ai mendon që PAN-i është PDK, unë i them se PAN nuk është PDK”, është shprehur Sherifi. /KK/