Sherifi i Nismës tregon si dështoi në orën e fundit koalicioni me PDK-në
Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka treguar detaje të reja të dështimit të koalicionit parazgjedhor PDK-Nisma.
Sherifi ka thënë se PDK-ja vetëm një orë përpara mbylljes së afatit të koalicioneve, përmes një telefonate kontaktoi me kreun e Nismës, Fatmir Limajn dhe i uroi suksese duke i thënë se nuk do kenë koalicion parazgjedhor dhe se do të kontaktojnë përsëri pas zgjedhjeve.
Sherifi tha se marrëveshje ishte e mbyllur që disa kohë, dhe këtë Nisma e llogariste si punë të kryer, derisa krejt në fund kjo dështoi.
“Me përjashtim të takimeve jo zyrtare, me Hoxhajn kanë ndodhur dy takime zyrtare ku kam marrë pjesë edhe unë, në takimin e parë menjeherë pas arrestimeve të Veselit, Krasniqit e Thaçit, ka qenë një marrëveshje e arritur paraprake. Për 15 minuta kemi arritur marrëveshje në parim, ku z.Hoxhaj ka thënë se PDK-ja është shumë e interesuar për partneritet me Nismën, në formatin CSU-CDU në Gjermani, e lamë si punë të kryer, u dakorduam për një tjetër takim, ku do shënojmë detajet dhe kornizat e asaj marrëveshje, me qëllimin që qeveria të zgjasë s’paku edhe dy vitet e ardhshme”, tha Sherifi për RTK.
“Në takimin e dytë pamë një lëvizje nga qëndrimi i parë, kreu i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se kanë ardhur të dëgjojnë qëndrimet tona që më pas të marrin një vendim në kryesi, që krejt në fund të dalin në një ofertë pas 2-3 ditës. Ofertë kjo që nuk erdhi më”, tha Sherifi.