Sherifi kërkon që Ligji për Amnisti për deputetët të miratohet sa më parë
Shefi i grupit parlamentar i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, ka kërkuar miratimin e Ligjit për Amnisti për deputetët të cilët kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvend.
Sherifi ka thënë se vendimi i Gjykatës për dënimin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje është i qartë se edhe deputetët e tjerë të akuzuar do ta kenë fatin e njëjtë me ata të LV-së.
“Duke i shpallur fajtorë deputetët që hodhën gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, gjykata e bëri atë që është pritur prej saj. Aktgjykimi i sotëm është paralajmërim edhe për rastet e tjera, ku janë të akuzuar deputetët e tjerë, kështu do të përfundojnë. Tani ne deputetët duhet ta bëjmë atë që pritet nga ne. Nismën e filluar muajin e kaluar për miratimin e Ligjit për Amnisti për deputetët të cilët kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvend ta përfundojmë duke e miratuar atë sa më parë”, ka shkruar Sherifi në profilin e vet në “Facebook”.
Ai i ka ftuar deputetët nga të gjitha partitë dhe shoqërinë civile që ta mbështesin këtë nismë.
“Vetëm kështu do t’u hiqej mundësia për të abuzuar me ligjin atyre që janë të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë sa herë që u jepet rasti”, ka thënë Bilall Sherifi.