Sherifi: Rrëmbimi i gjashtë shtetasve turq, krim
Shefi i grupit parlamentar Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se deportimi si aksion i ndërmarr nga një shtet politik është veprim i hapur për të zhvendosur me dhunë një popullsi civile nga një vend në tjetrin.
“Deportimi i hebrenjve ishte periudhë e rëndë dhe rrallë kush ka menduar që më vonë Serbia do ta bënte një gjë të tillë për Kosovën ku falë ndërhyrjeve ndërkombëtare u ndalua një gjë e tillë. E në vazhdën e deportimeve kush do të mendonte se një gjë e tillë ndodhi edhe nga ne. Këtu nuk kemi të bëjmë një deportim civil por për një aksion të fshehtë ku gjashtë shtetasit iu dorëzuan Turqisë”, ka thënë ai.
Institucionet e Kosovës, sipas tij, duhet të ishin të sigurt që kur t’i dorëzonin turqit të mos keqtrajtoheshin.
“Rrëmbimi i gjashtë shtetasve turq me banim të ligjshëm në Kosovë dhe dorëzimi i tyre është krim për të cilin duhet të japin llogari të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë. Ky rrëmbim është gjëja më jo e duhur prej themelimit të shtetit të Kosovës. Të dalin para përgjegjësisë të gjithë ata që urdhëruan këtë gjë”, ka thënë Sherifi.