Sherifi sërish nuk qëllon në shenjë
Adri Nurellari
E lexova me një frymë replikën tjetër të z. Sherifi me shpresën se do gjeja ndonjë argument apo reagim përmbajtjesor ndaj shkrimit tim por mjerisht thjesht një ripërsëritje e mërzitshme e insinuatave të ulëta dhe sulmeve personale të shkrimit të tij të mëparshëm. Për të ardhur keq që z. Sherifi, u mat, qëlloi e prapë ia doli huq larg shenjës. Sërish po më duhet që të ri sqaroj lexuesin lidhur me disa prej keq-interpretimeve dhe manipulimeve që ai përsiatet të bëj ndaj argumenteve të mia në replikën e tij.
Pikësëpari si ithtarë dhe promovues i liberalizmit nuk ka se si mos ta respektoj e vlerësoj pluralizmin e prandaj në shkrimin tim të parë kisha shkruajtur duke bërë paralelizëm me ligjin e tretë të Njutonit se “Është e kuptueshme që vetë roli protagonist e bën edhe cak shigjetash”, “Prandaj prezenca e anti-thaçizmit si aksion politik në një epokë pluraliste është më se e natyrshme.” Madje më tutje shtoj se “Nuk ka asgjë të keqe që të ketë kritika, dyshime e kërkesë llogarie mbi një lider politik, përkundrazi, është ky presion që bën të mundur garantimin e performancës së mirë. Mirëpo shprehja shqetësim se “në Kosovë përmasat e anti-thaçizmit janë anormale e kanë arritur dimensionet e një obsesioni kolektiv masiv që ka uzurpuar skenën politike”. Përpos përmasës dominuese të sulmeve ndaj tij shprehja shqetësimin e dhe për formën agresive e intensive me të cilën manifestoheshin këto sulme nga një segment në debatin publik.
Pra aty kurrsesi nuk fusja të gjithë por veçoja se “Tek disa flamurmbajtës të anti-thaçizmit aq e madhe është ngarkesa emocionale e obsesionit me këtë njeri sa manifestohen edhe çrregullimet psikologjike-psikiatrike të formës së psikozave kur flasin për të.”
Mjafton të shikohen komentet banale, ekstremiste, kanosëse e harbute që bëhen në rrjetet sociale të portaleve për lajmet që përmendin Thaçin për ta vërtetuar se çfarë niveli të skajshëm të përmasave psikotike ka marrë tek disa njerëz përbuzja e urrejtja ndaj tij. Mjafton të bëhet një analizë ligjërimi të retorikës së shumë eksponentëve të opozitës së viteve 2015-2017 për të dalluar elemente të qarta të gjuhës së urrejtjes ekstreme që synonte denigrimin total të cakut të tyre. Për mos të folur pastaj edhe referencën për esadizëm dhe evokimi i Avni Rrustemit që bënin disa zëra me të cilën synohej dehumanizmi i Thaçit e madje nënkuptohej se eliminimi fizik i tij sikurse iu bë Esad Pashë Toptanit, ishte i justifikueshëm.
Unë bëj dallim të qartë ndërmjet kritikës legjitime në suazat e pluralizmit politik dhe përmasave të ekzagjeruar dhe retorikës së obsesionuar agresive e irracionale ndaj tij. Prandaj është kotë që z. Sherifi përpiqet që për të fituar simpati tek lexuesi, të sforcohet që të luajë pozitën e viktimës kinse është ofenduar nga unë si zë kritik ndaj Thaçit. Për hir të së vërtetës nuk e kisha menduar aspak për z. Sherifi kur shkruaja se “Këtyre po tua heqësh agresivitetin dhe kritikat e shumta të bëra ndaj Thaçit, vështirë se iu ngelet ndonjë kontribut apo rol tjetër në jetën publike për të cilin të meritojnë statusin që kanë sot në shoqëri.”
Unë nuk mendoj se roli në shoqëri i z. Sherifi reduktohet vetëm tek anti-thaçizmi pasi ia njoh atij kontributin që ka dhënë në LPK, në UÇK, në kabinetin e ish-kryeministrit Thaçi ku ishte bashkëpunëtori më i ngushtë, në kabinetin ish-kryekuvendarit Krasniqi, në jetën parlamentare, atë partiake, debatin publik etj. Për rrjedhojë nuk e di tamam se ku i ka djegur miza tek teksti im pasi si reagim e prisja më shumë nga të tjerë njerëz, edhe pse e kam njëfarë gjysmë ideje intuite për shkakun.
Mirëpo nëse z. Sherifi kërkon të marrë flamurin e anti-thaçizmit e të flas në emër të të gjitha zërave që dalin kundër tij, të moderuar apo ekstrem, këtë “meritë” ia njoh pa problem. Vetëm ta dijë që duhet të vihet në radhë prapa shumë të tjerëve, se ka të tjerë që kanë më shumë peshë, më shumë ndikim, më shumë kredibilitet e që janë më të artikuluar se ai të cilët e meritojnë të konsiderohen kampion në garën e anti-thaçizmit.
Në replikë bën një tjetër gabim trashanik duke mu referuar si këshilltar i presidentit ndërkohë që po bëhet vitit i dytë që nuk jam më në kabinet të tij. Madje ka më shumë se një vit që përveç ndonjë përshëndetje rastësore nuk më ka rastisur të ulem shtruar e të bisedoj me presidentin. Ky gabim i tij dëshmon sesa pak e njeh ai personin me të cilin bën “polemikë” por edhe tregon vetëbesimin e tepruar dhe lehtësinë me të cilën flet për gjërat që nuk i di.
Ky iluzion i dijes shpjegohet më së miri me efektin Dunning-Kruger që përshkruan deformimin konjitiv që të çon tek të mbivlerësuarit e vetes. Me pak fjalë ky efekt shpjegon përse ata që nuk dinë, nuk e dinë se çfarë nuk dinë deri sa e mësojnë. Duke mos më njohur mua e duke mos ditur gjë për përvojën, ekspertizën, qëndrimet, angazhimet apo bindjet e mia ideologjikë, z Sherifi më ngatërron me veten. E ka vështirë ta kuptojë e ta pranojë se si një person si unë i rritur në kushtet e lirisë dhe demokracisë e i shkolluar në perëndim është tërësish i çliruar si nga kompleksi i lavdërimit e adhurimit të dikujt ashtu edhe nga ai i të qenurit kritizer nihilist i përhershëm ndaj dikujt.
Z. Sherifi po ashtu me përçmim më thotë të marr këshilla nga shokët e mi filozofë për një kategorizim që i bën argumenteve të rreme Shopenhauer në veprën e tij “Eristische Dialektik oder die Kunst, Recht zu behalten” – viti 1831.”. Unë nuk jam filozof por jam profilizuar në shkencat sociale pedagog i ri që isha në Universitetin e Tiranës më kanë pas caktuar për vite me radhë që të jepja e mërzitshme lëndën e Shkrimit Akademik dhe Mendimit Kritik dhe ndër gjërat që trajtohet më dendur në të janë padyshim argumentet e rreme. Ad hominem është një strategji e retorikës që përbën një dështim logjik sepse kundërshtimi nuk bëhet ndaj argumentit të polemikës por ndaj bashkëbiseduesit. Z. Sherifit mbase i ka ngelur koha tek fillim-shekulli XIX i Shopenhauerit, mirëpo shumë është shkruajtur prej atëherë qoftë për logjikën e qoftë për metodologjinë shkencore.
Në shumicën dërrmuese të literaturës së kësaj fushe sot ad hominem bën pjesë në kategorinë e argumenteve të rreme informale dhe ka disa variante apo nënkategori si psh. ad hominem abuziv”, rrethanor, tu quoque, invers, ankimi për tonin, helmimi i pusit apo edhe ad personam që paraqitet me triumfalizëm bosh nga z. Sherifi. Në këtë rast vetë titulli i replikës së tij është ad hominem i versionit rrethanor sepse duke me etiketuar si oborrtar pretendon se argumentet e mia nuk vlejnë si pasojë e kësaj rrethane.
Megjithatë unë e kuptoj qëllimin e vërtetë për të cilin z. Sherifi e citon krejt pa vend e pa nevojë Shopenhauerin. E bën për të kamufluar sadopak cektësinë e shkrimit të tij duke dashur që të thirret në autoritete si ky mendimtar për ti dhënë fjalëve të tija ngjyra më të ndezura kompetence e një dimension teorik. Ky dështim logjik quhet argumentum ad verecundiam ose një thirrje e rreme ndaj autoritetit. Në librin e Shopenhauerit së cilit i është referohet zotëria i sipërpërmendur paraqiten 38 mënyra për të fituar argumentin dhe vendin e 30-të e zë mbështetja në autoritet e jo në arsye, pra ad verecundiam, si taktistë sofiste për të fituar debatin.
Një tjetër gabim logjik fëmijëror që bëhet nga z. Sherifi është se përderisa unë kam thënë se “Hashim Thaçi është personaliteti më i rëndësishëm politik në Kosovë i dy dekadave të fundit” atëherë i bie që unë të kem ndonjë idhujtari apo adhurim të formës së kultit të individit. Unë nuk bëj asnjë përsiatje për ta fshehur respektin dhe vlerësimin për rolin historik të Thaçit, por kurrsesi nuk rrëshqas në idhujtari.
Ky është një deduksion qesharakë i z. Sherifi sepse me këtë logjikë të çalë i bie që nëse shpreh pohimin historik që “Enver Hoxha është personaliteti më i rëndësishëm politik shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit të kaluar” i bie që unë, largqoftë si i djathtë i thekur që jam, me këto fjalë të kem shprehur idhujtari për Enverin. Apo me stilin e interpretimit të mjegulluar të z. Sherifit i bie që nëse pohoj se “Franklin D. Roosevelt është politikani amerikan më i rëndësishëm i periudhës ndërmjet dy luftërave botërore të nënkuptoj që të kem adhurim për të dhe “New Deal” të tij, ndërkohë që në fakt unë jam libertarian.
Me pak fjalë në mënyrë të sforcuar është duke u përpjekur të përdredh e keqinterpretojë shkrimin tim të parë (i cili ishte qartazi një pamflet kundër idhujtarisë apo demonizimit të politikanit e pro politikës së ideve e vlerave) duke u përçapur që ta nxjerrë si një dëshmi idhujtarie.
Nga ana tjetër unë nuk i heq as një presje pohimit tim dhe mund ta debatoj më çdo kënd se prej fillimit të luftës çlirimtare të Kosovës dy dekada më parë në vazhdim krahu i luftës bëri kthesën në historinë e Kosovës por besa edhe të mbarë kombit shqiptar. Hashim Thaçi si zëri kryesor i krahut të luftës asokohe e mandej me protagonizmin e tij në Rambuje, proceset e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës dhe me fitoret e njëpasnjëshme të gjashtë garave elektorale të nivelit qendror e lokal, prandaj mendoj se ai është politikani më i rëndësishëm i këtyre dy dekadave që kaluam. Kuptohet që ky interpretim imi për historinë pranon debat.
Unë ndryshe nga z. Sherifi, nuk besoj se e kam të vërtetën absolute nuk e kam në xhep dhe as nuk pretendoj ta kem, por flas thjesht bazuar në përgatitjen akademike, njohuritë, dhe vëzhgimet e mia, krejt personale, që natyrisht mund të jenë deri diku edhe subjektive. Mirëpo nuk pranoj që dikush të mi sfidoj këto konkluzione duke u marrë kryekëput me sulme e insinuata te ulëta ndaj meje por vetëm duke paraqitur fakte, argumentet të drejta logjike si dhe duke ndjekur një metodë shkencore krahasimi i interpretimi.
Ndërkaq në gjithë replikën e tij më ra në sy me një përpëlitje e tij për ta nxjerr sikur shkrimi është shkruajtur nga Hashim Thaçi kundër tij nëpërmjet meje e me të vërtetë mu dhimbs z. Sherifi. Ai përdor shprehje “shkrim i cili mban emrin e tij”, “postës së porositur”, “ato që i janë thënë nga padronët e tij”, “dikush ka mundur të ndërhyjë në shkrimet e tij” për të lënë të kuptohet se ai është aq me reputacion e ndikim sa Thaçi ka marrë mundimin të shkruaj kundër tij me emrin tim. Mbase me ngatërron me veten e tij e me kompromiset që ka bërë vetë, por unë kam një dekadë e gjysmë që shkruaj rregullisht në media dhe kurrë, qoftë edhe njëherë të vetme nuk kam vënë emrin tim në diçka të shkruajtur nga dikush tjetër.
E garantoj lexuesin se ashtu kështu ai vetë e ka të vështirë të besojë, se shkrimin e parë dhe këto replika i kam shkruajtur si pjesë të bindjeve personale e për kokërr te qejfit tim se jo vetëm kam te drejte por edhe më pëlqen që të demistifikoj autoritete të rreme z Sherifi që me taktikat e tyre të përbaltjes e kontaminojne debatin publik me negativitet toksik.
Por e them mu dhimbs se me të vërtetë është për të ardhur keq që ai mendon se është në qendër të vëmendjes Hashim Thaçi dhe se presidenti mes njëqind punësh e sfidash që ka mundohet të merret me të. Këtë gjë e kuptova edhe kur e zbulova se ishte i vetmi që paskësh bërë replikë ndaj editorialit të presidentit gjë që lë të mendohet se i dehur nga një delir madhështie, ka pasur iluzionin se Thaçi është hakmarrë ndaj tij nëpërmjet meje. E marr me mend sikletin e ngarkesën e madhe emocionale që i bluan përbrenda për faktin se për vite me radhë ka vjellë vrerë e tani duhet të kapërdijë qëndrimin në një koalicion me partinë e tij. Kjo situatë lë të mendohet për një kompleks qe duhet ta ketë zhvilluar pas ikjes nga bashkëpunëtor i afërt i Thaçit.
Ne shqiptarët jemi gjaknxehtë, e kemi të vështirë të ngelemi miq pasi na ndahen rrugët. Por pretendimi i tij për shkrim të porositur lë të kuptohet se është një shpresë e dëshpëruar se Thaçi po merret me të. Të shtyn të mendosh se z. Sherifi po bën çmos ti bjeri në sy ish shefit të vetë. Madje mesazhet e ti të fshehura në këtë pretendim të tij për tekst të porositur prej Thaçit të kujtojnë deri diku tekstet melankonike e patetike të Medës që përmbajnë shprehje të tipit “Unë e di qe ti mendon akoma për mua?” apo “Shiko çfarë të gjen që u ndave prej meje!”.
Nga ana tjetër është interesante që personi që konsiderohet si konsiderohet si mendimtari i Nismës Social Demokrate është profilizuar në sulme personale por nuk është dëgjuar të promovojë vlerat e social-demokracisë paçka se Nisma është profilizuar si social-demokrate prej fillimit të vitit. Këtë mendimtar të ndritur e kemi vënë re që mban avazet e vjetra të diskursit politik e nuk e kemi dëgjuar të shkruaj për apo të promovojë vlera social-demokrate si barazia, drejtësia sociale, solidariteti shoqëror, liria pozitive, kohezioni social, komunitarianizmi, ambientalizmi e anti-globalizmi. As nuk kemi dëgjuar prej tij propozime ideore të politikave kejnsianiste që zakonisht merren më shumë me anën e kërkesës së ekonomisë sikurse rishpërndarja, intervencionizmit i shtetit, shtetëzimi apo kontrolli shtetëror në sektorë kyç, investimet publike aktive në ekonomi dhe shpenzime për punësime shtetërore, rritja e rregullave e kontrollit ndaj ekonomisë etj.
E vetmja gjë e Nismës që mund të konsiderohet si lidhje apo preferencën me të majtën është njëfarë nostalgjie enveriste e trashëguar nga kohët e LPK-së. Kjo gjë ilustrohet më së miri nga ish shefi tjetër i z. Sherifi, ish-kryekuvendari Jakup Krasniqi i cili krekosej deri vonë me fotografinë e Enver Hoxhës të vendosur dukshëm në krye të bibliotekës së tij.
E pra prandaj e përsëris që është e domosdoshme që Kosova të ndërtojë një debat politik të bazuar mbi ide e programe sepse ky debat i stilit të z. Sherifi, i bazuar tek sulmet personale i përket së kaluarës dhe mban peng të ardhmen. Prandaj e theksoj sërish se kemi nevojë për një debat politik dhe parti që kanë orientim të qartë ideologjik. Me parti moderne të mbështetura në ideologji e debate përmbajtjesore roli i liderit si simbol frymëzimi zbehet përkundrejt ideve të ndryshme universale si liria apo barazia sociale dhe po kështu autoriteti apo kryeneçësia e tyre zvogëlohet nga thellimi i shtratit ideologjik të një partie.
E një tjetër impakt i rëndësishëm ndërtimit të një debati përmbajtjesor ideor do të jetë rritja e nivelit të idealizmit dhe ndershmërisë. Nëse sot mbizotërojnë luajalitetet personale dhe interesi për pushtet ideologjizimi ka për ta përqendruar aktivitetin e partive politike tek kauzat, parimet dhe idetë e filozofeve të ndryshme politike dhe do të mobilizojë e angazhojë persona të rinj idealistë që do të jenë të motivuar ideologjia e jo interesi i ngushtë për të plaçkitur nëpërmjet pushtetit politik.
Kjo gjë do të mundësojë qarkullimin e elitave dhe freskimin e klasës politike të Kosovës duke iu dhënë mundësi të rinjve që dëshmojnë aftësi për të bërë debate publike me përmbajtje, aftësia të paraqitjes së projekteve dhe programeve alternative për sfidat e vendit, kapacitetet për të përkthyer, idetë dhe qëllimet në politika konkrete e plane veprimi si dhe që kanë shkathtësi menaxheriale për të zbatuar platformat që kanë hartuar.