Sherifi: Taksa ndaj Serbisë nuk duhet as të hiqet dhe as të suspendohet
Shefi i grupit parlamentar i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se taksa ndaj produkteve të Serbisë nuk duhet as të hiqet dhe as të suspendohet.
Sherifi ka thënë për “Epokën e re” se taksa duhet të trajtohet ndaras nga dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Taksa/tarifa ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës është vendosur si reagim ndaj agresionit të vazhdueshëm të Serbisë kundër shtetit të Kosovës. Ky vendim i qeverisë është marrë në përputhje të plotë me interesat e shtetit tonë dhe në unitet të plotë të partnerëve të koalicionit qeverisës. Taksa duhet të trajtohet ndaras nga dialogu. Kushdo që e kushtëzon dialogun me heqjen/suspendimin e taksës bën gabim. Vendosja e taksës ka arsyet e veta, të cilat i përmenda më lart dhe, pa u hequr arsyet e vendosjes, ajo nuk duhet as të hiqet dhe as të suspendohet. Dialogu si proces ka arsyet e veta pse ka filluar prandaj, pavarësisht taksës, ai duhet të vazhdojë”, ka deklaruar Sherifi.
/Epoka e re/