Sherifi thotë se Kosova u vetëmbrojt me vendosjen e taksës pas agresionit të Serbisë
Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, i shoqëruar nga deputetë të këtij subjekti, kanë zhvilluar të mërkurën një takim me shefen e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ku është diskutuar për çështjet politike në vend.
Sherifi ka thënë se Kosova ka përfunduar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave dhe pret nga BE-ja që në pjesën e parë të këtij viti t’i mundësojë qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë.
Sa i përket dialogut, shefi i deputetëve të Nismës Socialdemokrate ka përsëritur qëndrimin e këtij subjekti se nuk pranohet temë diskutimi ndarja e territorit apo shkëmbimi i territoreve.
“Ne nuk pranojmë që temë diskutimi të jetë ndarja e territorit apo shkëmbimi i territoreve. Me formimin e Ekipit Shtetëror për dialog me Serbinë, bashkëdrejtues i të cilit është kryetari i Nismës z. Fatmir Limaj, besojmë që do të ketë progres në këtë çështje”, ka thënë Sherifi.
Lidhur me taksën e vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, Sherifi ka thënë se është një vetëmbrojtje ndaj veprimeve që ka bërë ndër vite Serbia ndaj Kosovës.
“Taksa nuk duhet të largohet derisa pala serbe të ndryshojë veprimet që ka bërë deri tani ndaj Kosovës. Çdo popull ka të drejtë të mbrohet kur sulmohet, ne po mbrohemi nga sulmet agresive që po bën Serbia ndaj Kosovës”, është shprehur Sherifi.
/Epoka e re/