Sherifi: Urimi i presidentes për zgjedhjet në Shqipëri, skandaloz
Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, e ka quajtur skandaloz urimin e presidentes Vjosa Osmani për zgjedhjet në Shqipëri.
Ai ka vlerësuar se presidentja në mesazhin e saj nuk e ka fshehur urrejtjen patologjike ndaj kundërshtarëve të Partisë Demokratike në Shqipëri.
Sipas Sherifit, urimi i presidentes duhej të reflektonte unitetin e popullit të Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebok”, Sherifi ka shkruar se presidentja mbivendosi preferencat personale mbi Kushtetutën e Kosovës.
Postimi i plotë i Sherifit:
Mbivendosja e preferencave personale mbi kushtetutën!
Mënyra dhe përmbajtja e urimit që Kryetarja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani postoi në Tëitter lidhur me zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri është skandaloz. Në rend të parë është skandaloz për arsye se edhe në rastet kur Vjosa Osmani dërgon mesazhe zyrtare në emër të funksionit më të lartë shtetëror, të funksionit që duhet të shprehë unitetin e popullit të Kosovës, ajo nuk e fsheh urrejtjen patologjike ndaj kundërshtarëve të Partisë Demokratike në Shqipëri, por nxjerr haptas funksionimin dhe vlerësimin që u bën ngjarjeve nga prizmi i saj personal!
Nuk mund të ketë skandal më të madh diplomatik kur presidenti i një shteti uron fitoren e një partie politike në një shtet tjetër dhe udhëheqësit të asaj partie nuk ia përmend as emrin. Mospërmendja e emrit të Kryeministrit të Shqipërisë dhe udhëheqësit të Partisë Socialiste, Edi Ramës shpërfaq skandalin e personit që ka kapur dhe mbërthyer me urrejtjen e vet institucionin që duhet të pasqyrojë unitet e shtetit të Kosovës.
Përfaqësimi i institucionit të Presidencës së Kosovës mbi bazën e afiniteteve dhe urrejtjeve personale është keqpërdorim i rëndë dhe veprim në kundërshtim të plotë me obligimet kushtetuese që i ka Vjosa Osmani. Prandaj urimi i saj plot urrejtje nuk përfaqëson funksionin që ka, por vetëm personalitetin e saj politik!