Sherifi zotohet që Nisma do të ngrisë në Bruksel çështjen e Luginës
Kryetari i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi priti në takim deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Fatmir Hasani, kryetarin e komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi dhe Ardita Sinani, ish kryetare e komunës së Preshevës dhe nënkryetare e Partisë për Veprim Demokratik.
Në takim përveç tjerash u fol edhe për procesin e dialogut Kosovë-serbi dhe për kërkesën që Lugina të përfshihet në agjendën e Bisedimeve.
Kryetari i Grupit Parlamentar theksoi se Nisma do të insistojë që në procesin e diskutimit dhe miratimit të platformës për dialog mes Kosovës dhe Serbisë një nga temat kryesore të trajtohet edhe çështja e shqiptarëve që jetojnë në komunat e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës.
“Nisma do të insistojë me ngulm që gjatë bisedimeve të kërkohet zbatimi i reciprocitetit në të drejtat e shqiptarëve në Luginë me të drejtat e komunitetit Serb në Kosovë”, ka thënë Sherifi.