Shërimi jashtë Kosovës mbetet zgjidhje e vetme për fëmijët me sëmundje të rënda
Institucionet publike shëndetësore në Kosovë vazhdojnë të mos i ofrojnë disa shërbime për të cilat pacientët detyrohen të kërkojnë shërim jashtë vendit.
Sfida më e madhe mbetet për fëmijët, të cilëve u duhet të kërkojnë shërim jashtë Kosovës. Sëmundjet malinje, leukemitë akute, operacionet e zemrës janë vetëm disa nga sëmundjet që institucionet publike nuk po mund t’i ofrojnë në vend për fëmijët.
Sipas hulumtimeve të bëra, thuhet se në përgjithësi trajtimi i pacientëve jashtë vendit u kushton qytetarëve nga 150 deri në 200 milionë euro në vit.
Ndryshe, në Kosovë rreth 50 fëmijë në vit preken vetëm me sëmundjen e kancerit. Ekspertë shëndetësorë thonë se numri i fëmijëve të prekur me kancer është rritur brenda vitesh, nëse krahasohet me vitin 2008, kur në vit janë diagnostikuar vetëm shtatë fëmijë me sëmundje të kancerit.
Megjithatë, rritja thuhet të mos jetë reale, pasi që diagnostikimi i fëmijëve me kohë është rritur. Por, disa nga këto lloje kaceresh, nuk trajtohen në Kosovë.
Derisa në vend janë afro 400 fëmijë në vit që lindin me anomali në zemër. Prej tyre, rreth 200 kanë nevojë për intervenim kirurgjik, shërbim të cilin u duhet ta marrin jashtë vendit.
Muharrem Avdiu, pediatër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se ndonëse ka staf mjekësorë adekuat, si dhe donacione të shumta, pikërisht për sëmundjen e kancerit, janë disa lloje sëmundjesh të fëmijëve që kërkojnë trajtim jashtë vendit, nga pamundësia për t’u trajtuar brenda klinikës.
“Nga Kardiokirurgjia kërkohen trajtim jashtë vendit. Po ashtu edhe për sëmundje malinje. Fëmijët i dërgojnë jashtë vendit për ato lloje kaceresh që ne nuk mund t’i trajtojmë për arsye të ndryshme. Fëmijët e sëmurë nga zemra më së shumti trajtohen në shtetin turk, por edhe në Itali, e disa vende tjera”.
“Janë edhe sëmundjet malinje të fëmijëve, që nuk po mund të trajtohen, ndonëse ekziston vullnet i madh i stafit për t’i ndihmuar këta fëmijë. Këto sëmundje janë dhimbje e veçantë për familjet e fëmijëve, por edhe për stafin tonë në raste kur nuk mund t’i ndihmojnë, qoftë si mungesë e barnave, por edhe shumë çështjeve tjera”,ka thënë Avdiu.
Albatrit Matoshi, këshilltar për media i Ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka bërë me dije se për fëmijët, janë të ndara 1.2 milion euro në vit. Këto mjete u dedikohen sëmundjeve që nuk mund të trajtohen brenda institucioneve publike shëndetësore.
Ndërkohë, ai thotë se janë duke punuar në atë drejtim, që të mund të ofrohen shërbime shëndetësore shtesë për fëmijët.
“Spitali që po ndërtohet në QKUK si donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe në vlerë prej 22 milionë eurove, është Spital Pediatrik dhe Spital i Kirurgjisë së Fëmijëve. Ky spital do të jetë modern, do të ketë 10.000 metra katrorë, 100 shtretër dhe pajisje të reja mjekësore dhe do t’i integrojë brenda vetes të gjitha shërbimet shëndetësore tretësore që ofrohen për fëmijë, pra edhe shërbimet e pediatrisë edhe të kirurgjisë së fëmijëve”.
“Në këtë aspekt, partnerët kanë ofruar mundësinë që krahas ngritjes së spitalit, të punohet edhe në aftësimin e stafit profesional, ashtu që spitali i ri, të jetë i përgatitur edhe me kuadër për të filluar me shërbime gjithëpërfshirëse të kujdesit shëndetësor tretësor për fëmijë. Ashtu siç është arritur me këmbëngulje që të sigurohet stafi profesional për shërbimin e kardiokirurgjisë në QKUK, do të sigurohet stafi edhe për shërbimet e reja që do të jenë në kuadër të Spitalit pediatrik dhe të kirurgjisë së fëmijëve”, ka thënë Matoshi.
Sidoqoftë, përderisa institucionet shëndetësore dhe Ministria e Shëndetësisë planifikojnë që në të ardhmen të ketë më shumë trajtime në Kosovë, gjendja aktuale mbetet e vështirë për pacientët. E edhe më të vështirë trajtimin ua bën atyre që presin para ambasadave të huaja për t’u pajisur me një vizë, në kërkim të shërimit jashtë vendit.
Ndryshe, Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk gëzon lëvizjen e lirë pa viza në zonën Schengen.