Shërohet i sëmuri me HIV/AIDS
Pas dekada kërkimesh dhe eksperimenteve të shumtë, shkencëtarët duket se kanë arritur të gjejnë mënyrën për të mposhtur HIV/AIDS-in. Një pacient britanik, i diagnostikuar me virusin vdekjeprurës, por edhe me kancer, është shëruar pas një transplanti të qelizave staminale.
Rasti i jashtëzakonshëm vjen nga Londra. Pacienti ishte diagnostikuar fillimisht në 2003 me virusin Hiv e më pas në vitin 2012 me kancer. Pasi iu nënshtrua kimioterapisë dhe iu vendosën qelizat staminale nga një dhurues, ai u shërua plotësisht nga të dy diagnozat.
Ky është rasti i dytë që një pacient me HIV dhe i diagnostikuar me kancer, i shpëton dy sëmundjeve të rënda. 10 vjet më parë një pacient në Berlin, u shërua pas një transplanti të palcës.
Megjithatë shkencëtarët shprehen të përmbajtur dhe thonë se është ende herët për gjetjen e kurës së virusit, pasi kjo terapi nuk mund të përdoret në ata pacientë që janë të diagnostikuar vetëm me HIV/AIDS. Studiuesit shprehen të emocionuar dhe thonë se rezultati i dytë i suksesshëm, u jep shpresë për gjetjen e kurës.
Rreth 37 milionë njerëz në gjithë botën janë të prekur aktualisht nga virusi HIV. E cilësuar si sëmundja e shekullit, HIV/AIDS ka vrarë rreth 35 milionë njerëz në gjysmë shekullin e fundit./klan.al/