Shërohet punëtori i KEDS-it, kompania tash pa asnjë të prekur nga Covid-19
KEDS/KESCO ka njoftuar se nuk e kanë asnjë punëtor të infektuar me koronavirus.
Kjo, pasi punëtori që ishte diagnostifikuar më herët me Covid-19 ka rezultuar negativ edhe në testin e dytë, pra është shëruar plotësisht.
“KEDS/KESCO llogariten kompani që e kanë menaxhuar në nivelin më të lartë pandeminë. Kjo, pasi 2200 punëtorët tanë vazhdimisht ishin edhe në vatrat e krizës duke pasur barrën e furnizimit me energji elektrike që është jetike në këto kohë e të cilën kompanitë e bartën me sukses të plotë”, thuhet në kumtesë.
“Suksesi u arrit pasi KEDS/KESCO menjëherë kishin formuar Shtabin e Krizës dhe i ishin përmbajtur strikt secilit udhëzim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Qeverisë së Kosovës. Shtabi vazhdon të ndjekë secilën lëvizje dhe merr vendime që zbatohen menjëherë”, ka njoftuar KEDS-i.
Sipas këtij njoftimi, KEDS/KESCO ka marrë të gjitha masat e nevojshme paraprakisht për të parandaluar përhapjen e virusit “Korona”.