Sherri për vulën e PD-së, Gazmend Bardhi nuk ja dha Berishës, tani as Bashës
Sherri për vulën po prodhon serialin e dytë në Partinë Demokratike.
Deri më 3 mars, Sali Berisha pas një lufte të gjatë për ta bërë të vetën vulën e PD, e humbi atë. Ajo vulë i ngeli PD-së zyrtare, Gazment Bardhit që ka firmosur vendime zyrtare. Por jo të gjitha.
Së fundmi, Bardhi në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, sipas burimeve, nuk ka firmosur vendimet e Kryesisë së PD, që janë marrë njëri pas tjetrit, për rikthimin e Lulzim Bashës.
Kjo ka bërë që grupi i tij mbështetës të kërkojë zgjidhje, që letrat të mos ngelin pa vulë.
Dhe zgjidhja është heqja e së drejtës Gazment Bardhit për ta përdorur vulën dhe ajo ka kaluar në duart e grupit Basha, në PD.
Në një vendim të Kryesisë, të martën e javës së shkuar, një grup anëtarësh, kanë marrë vendim që vulën, në vijim ta administrojë Indrit Sefa, Sekretar i Çështjeve Ligjore dhe Zgjedhore në PD. Në këtë vendim thuhet:
“Urdhërohet Sekretari i Çështjeve Ligjore dhe Zgjedhore, zoti Indrit Sefa për prodhimin dhe administrimin e vulës së Partisë Demokratike”.
Vendimi është firmosur nga 15 anëtarë, pavarësisht se lista është pak më e gjatë, me 16, me kontributin e deputetes Orjola Pampuri. Firma e saj rezulton 2 herë.
E gjithë kjo është pritur me ironi nga Gazment Bardhi, që e quan akt qesharak dhe nën efektin e dëshpërimit.
“Statuti i Partisë nuk ndryshohet me vendim të Kryesisë, e aq me pak me vendim pa kuorum të Kryesisë! Statuti është vullnet i përbashkët i rreth 7000 anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PD. Për këtë arsye, për zhvillimet në PD referojuni vetëm dispozitave të Statutit, se me letra me firma mund t’ju vijë këto ditë edhe ndonjë vendim për sekuestrimin nga “Kryesia e PD” e kurorës së mbretit të Anglisë!”, tha ai.
Sherri i Bardhit me pjesën tjetër të PD-së, ka nisur për Lulzim Bashën dhe do të vijojë ende.
Këtë të hënë, vetëm 5 ditë nga rikthimi i Lulzim Bashës sërish në krye të Partisë Demokratike, kërkuan që ky process të pamundësohet.
“Partia nuk është pronë e një njeriu”, deklaroi deputeti Lefter Gështenja.
Ata nuk kanë në përgjigje të tyren se si kjo mund të ndodhë, por kanë përgjigjen e shumicës së anëtarëve të Këshillit Kombëtar demokratë, siç pretendojnë, që nuk e njohin procesin e zhvilluar deri më tani për rikthimin e Bashës.
“Kërkojmë nga Gazment Bardhi që të zbatojë statutin”, tha deputeti Bledion Nallbati.
Këshillin Kombëtar, që e çoi procesin, përpara deputetët demokratë thonë se është i pavlefshëm, për shkak të numrit të ulët, të atyre që ishin prezentë më 20 qershor.
A do të jetë Gjykata një derë, ku do të trokasin deputetë?
Dhe përgjigja e Gazment Bardhit, në postin e Sekretarit të Përgjithshëm, ishte e shpejtë për deputetët.
“Po kam marrë një relacion të detajuar dhe kërkesë mbi situatën dhe vlerësimin e Këshillit Kombëtar dhe pasi i kam shqyrtuar, kam ushtruar menjëherë kompetencat që më njeh Statuti i Partisë. Kam vendosur të thërras mbledhjen e Këshillit Kombëtar”, theksoi Bardhi.
Kjo mbledhje do të ndodhë para së shtunës apo pas, kur Basha do të jetë zgjedhur, kjo çështje ende nuk ka vendim nga Sekretari i Përgjithshëm. Megjithatë kjo siç duket nuk ka asnjë rëndësi për grupin tjetër. Indrit Sefa, Sekretar për Zgjedhjet Ligjore dhe Zgjedhore, në reagim për Bardhin thotë se ai nuk ka asnjë kompetencë.
“Në zgjedhjet e brendshme në Parti, Sekretari i Përgjithshëm nuk ka asnjë kompetencë statutore”, u shpreh Sefa.
Madje, ai thotë se e gjitha që po bëhet nga grupi anti-Basha është në interes të Sali Berishës.
“Çdo vonesë apo kleçkë që dëmton këtë proces, është sot një largim i vëmendjes për humbjen e rradhës që Sali Berisha koleksionoi në Rrogozhinë. Dhe në vazhdim është shërbimi i radhës ndaj interesave personale të familjes Berisha”, shtoi ai.