Shesheli sheh ‘ëndrra’: Të presim derisa të shkojë NATO dhe ta marrin Kosovën e Shqipërinë deri në Durrës
Lideri i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, i cili është dënuar me 10 vjet burgim nga Tribunali i Hagës për krime lufte, vazhdon me deklarata që bëjnë thirrje për luftë në Kosovë.
Madje, ai ka shkuar edhe më larg duke synuar që Serbia të marrë edhe një pjesë të Shqipërisë.
Shesheli nëpërmjet llogarisë se vet një postimi në “Twitter”, ka shkruar se Serbia duhet të përgatitet që me luftë sërish ta marr Kosovën, pasi nga atje të tërhiqen forcat e NATO-s.
“Në mënyrë që ta çlirojmë Kosovën dhe Metohinë, ne duhet që me forca të fuqishme ushtarake dhe policore të ndjekim të gjithë shqiptarët që nuk e njohin shtetin serb. Këtë nuk mund ta bëjmë derisa NATO është atje. Ndërkohë, derisa presim që NATO-ja të shkojë dhe të vërsulemi atje, duhet që nën kontroll të fortë serb të mbajmë bile një pjesë të Kosovës”.
“Nuk duam kurrfarë demarkacioni me shqiptarët. Ne serbët duhet të bëjmë demarkacionin në Shqipëri, me grekët, diku në rripin e Durrësit. Perandoria Austro-Hungareze e krijoi Shqipërinë si një shtet artificial, për të parandaluar Serbinë të dalë në det. Në Shqipërinë e Veriut është trashëgimia jonë. Atje gjithçka është serbe, edhe toka dhe guri”, ka shkruar Shesheli.