Shevchenko: Milani mund ta synojnë ‘Scudetton’
Ish-sulmuesi i Milanit, Andriy Shevchenko, beson se kuqezinjtë mund ta synojnë titullin kampion këtë sezon.
Trajneri aktual i Ukrainës ka fituar gjithçka kur ishte pjesë e Milanit dhe tashmë shikon një ekip perfekt nën drejtimin e Piolit. Gjithashtu, Sheva nuk harron të theksojë dhe rolin e rëndësishëm që Ibrahimoviq ka në ekip, duke e konsideruar atë një lider të vërtetë.
“Sigurisht që ata mund ta synojnë ‘Scudetton’. Realisht kampionati është shumë i gjatë, por Stefano Pioli e mbylli në mënyrë të shkëlqyer sezonin e kaluar si dhe këtë aktualin e ka filluar akoma më mirë. Ajo që ka më shumë rëndësi është që lojtarët të qëndrojnë me këmbë në tokë. Diferenca qëndron tek shpirti që ata japin në fushë”, deklaron Sheva për “La Gazzetta dello Sport”.
“Kuqezinjtë më ngjajnë me një orkestër. Çdokush ka rolin e tij dhe po e bën më së miri atë, ndërkohë që Ibra po i dirigjon ato në mënyrë të shkëlqyer. Sigurisht që edhe Pioli ka meritat e tij. Mes Zlatanit dhe trajneri, Paolo Maldini e ka vendosur veten në mes dy personave të jashtëzakonshëm. Rreth tyre ka shumë djem që duan të bëjnë mirë. Ata janë plot me energji dhe kjo është diçka e bukur. Tani nuk është koha për të folur, por për t’ia vendosur objektivat skuadrës me kalimin e kohës”, përfundon ukrainasi.