Shfaqet filmi dokumentar për Universitetin e Prishtinës (Foto-Video)
Sonte në “Kino Armata”, me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës, u shfaq filmi dokumentar për këtë universitet, i gjatë një orë e shtatë minuta, në të cilin folën ish-rektorë, ish-profesorë, ish-studentë, por edhe rektori Marjan Dema, prorektorë, dekanë, disa prej profesorëve të sotëm, ish-drejtues të Lëvizjes Studentore të protestave të vitit 1997, sot profesorë, kryeredaktorë dhe botues të mediave, të cilët shpalosën kujtime nga jeta e tyre studentore dhe treguan për iniciativat e ndryshme të ndërmarra në kohën kur dyert e fakulteteve të Universitetit të Prishtinës mbylleshin nga regjimi serb, kur mësimi në gjuhën shqipe, pas mbylljes së universitetit, zhvillohej në shtëpi private dhe në lokale afariste, pastaj për organizimin e përbashkët studentor, për protestën madhështore në tetor të vitit 1997, e cila i parapriu daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në dy incizime të shkurtra, të cilat i realizuam sonte gjatë shfaqjes së premierës së dokumentarit për Universitetin e Prishtinës në “Kino Armata” në Prishtinë, mund t’i shihni disa prej udhëheqësve të dikurshëm dhe të sotëm të universitetit të cilët i kujtojnë ditët e lavdishme të shkollimit të tyre në këtë universitet dhe veprimtarinë e tyre atdhetare për mbrojtjen e universitetit nga regjimi serb.