Shfaqet premiera e filmit dokumentar “Koha e pelikulës”
Në kuadër të aktiviteteve me rastin e 90-vjetorit të lindjes së regjisores së mirënjohur të kinemasë shqiptare Xhanfise Keko, nën patronatin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi dhe ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Qemal Minxhozi, është shfaqur premierë filmi dokumentar “Koha e pelikulës” i regjisorit Mevlan Shanaj, dedikuar artistes që ia kushtoi krijimtarinë, botës së madhe të fëmijëve të vegjël.
Dokumentari kushtuar Xhanfise Kekos “Koha e pelikulës” është konceptuar si një rrëfim i autores, mbështetur në librin e saj “Ditët e jetës sime”, kujtime dhe libri i shkruar nga aktorët e saj të vegjël “Teta Xhano”.
Organizuar në skenar nga Natasha Lako brenda këtij materiali si bazë shërbejnë kujtimet e Xhanos të qëmtuara dhe lexuara si monolog. Materialet ilustruese ngarkuar me imazhe, nga arkivi kronikat, filmat artistikë dhe mjediset kryesore të autores, që nga qyteti i lindjes Gjirokastra, Dardha fshati i Endri Kekos, bashkëshorti.
Me ketë rast ministri Gashi ka thënë se MKRS-ja dhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë çdo vit nënshkruajnë kalendarin e përbashkët kulturor me qëllim të realizimit të aktiviteteve të dakorduara nga të dyja palët.
“Unë si ministër i Kulturës jam i përkushtuar që edhe me tej saj të mbështes nisma dhe iniciativa të ndryshme për shënimin e ditëve dhe datave të veçanta të cilat kanë për qëllim afirmimin e mëtejmë të kombit tonë e të qytetarëve tanë. Zonja e madhe e filmit shqiptar siç quhet me të drejtë, ajo më 4 janar mbushi 90 vjet, ne sot po e festojmë së bashku ditëlindjen e saj pasi e meriton nderimin e Kosovës artistja e madhe që na nderoj e na beri krenar të gjithë shqiptarëve”, ka thënë ministri Gashi.
“Duke rikthyer e kujtuar filmat e realizuar shumë vite më parë si, ‘Kryengritje në pallat’, ‘Mimoza llastica’, ‘Qyteti më i ri në botë’, ‘Beni ecën vetë’, ‘Tingujt e luftës’, ‘Tomka dhe shokët e tij’, ‘Pas gjurmëve’, ‘Një vonesë e vogël’ filma ku ajo shkëlqeu me tërë forcën e talentit të saj, konstatojmë se përpos të tjerave, imazhet e saj ndërtojnë atë forcë shprehëse të botës shqiptare, e cila inkuadron për herë të parë në botën saj interesat e fëmijëve që të çojnë gjithnjë e më tepër drejt lirisë dhe përparimit”, ka theksuar ministri Gashi.
Ai ka shtuar se koha ka treguar se ajo i ka kapërcyer caqet e një autoreje filmi për fëmijë, pasi tematikat e filmave të saj mbeten aktuale sa u takon marrëdhënieve të fëmijëve me natyrën, prindërit, shokët, mësuesit, misterin, dhunën, të vërtetën, padrejtësitë.
Më tutje ministri ka shtuar se “artistja unikale e filmit shqiptar i ka lënë trashëgimisë kombëtare, një numër kryeveprash filmike nga më të dalluarat e më të rrallat, nga më jetëgjatët dhe më të mirëpriturit për publikun shqiptar dhe i ka sjellë kinematografisë shqiptare vërtetësinë dhe realizmin e thjeshtë të jetës, duke sfiduar çdo element propagandistik të kohës. regjisorja shqiptare Xhanfise Keko zë një vend të nderuar në altarin e kinematografisë botërore, ku deri në vitet 60 regjisoret gra, veçanërisht në filmin e gjatë artistik pothuajse mungonin krejt”.
Në fund ministri Gashi ka falënderuar ambasadorin e Ambasadës së shtetit shqiptar, Qemal Minxhozi, i cili sipas tij ishe nismëtari që kjo ngjarje të shëonohet në Prishtinë. “Ne do të angazhohemi që ngjarje të tilla të shënojmë edhe me tej duke qenë përherë mirënjohës për kontributin dhe gjurmët e pashlyeshme që na lanë figurat e rëndësishme siç ishte e ndjera zonja Keko”, ka thënë ministri Gashi.
/Epoka e re/