Shfaqja dhe lufta që po na kanoset
Nga Agron Gërguri
Përkitazi me dramën “Katër epoletat” të autorit dhe regjisorit Haqif Mulliqi, dhënë premierë në Teatrin e Qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë. Aktrojnë: Basri Lushtaku, Ismet Azemi dhe Adem Zhitopotoku; asistente e regjisë: Penesta Mulliqi; muzikën: Haki Mulliqi; dizajnues i dritave: Murat Kajtazi- Leka; udhëheqës i projektit: Sabit Sheremeti
“Katër epoletat”, dramë e shqetësimeve për fatin e fatkeqësisë vrastare të njeriut apo njerëzve
Nuk është thënë kot se premierë s’është shfaqja e parë por e 33 ta. Kjo asesi nuk e përjashton mrekullinë e shqetësimit emocionale të herës se parë në premierë, por dëshmon faktin se shfaqja e shtruar mirë, me aktorë të mirë me tekstin domethënës e regjisurë inventive ndërtohet perfeksionohet kuptimësohet e rikuptimësohet në secilën reprizë të saj.
Këtë konstatim e preku shfaqja “Katër epoletat” e autorit dhe regjisorit Haqif Mulliqi dhënë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Për dallim nga premiera e kësaj shfaqjeje në Mitrovicë s’cilës mungesa e rrymës elektrike i dha një dimension tjetër të mundësive të teatrit duke u ambientuar me kushtet e gjetura shfaqja, kësaj radhe, në kryeqendër, na erdhi e plotë dhe në shkëlqimin e saj.
Shfaqja reprizë në Teatrin Kombëtar ishte dramë e shqetësimeve për fatin e fatkeqësisë vrastare të njeriut apo njerëzve që kanë shkelur e shkelin nëpër gjakun e shkaktuar nga si gjeneralët e luftës, Alfador e Betador të cilët i interpretojnë në mënyrë brilante dueti Basri Lushtaku dhe Ismet Azemi të cilët kishin një harmoni komunikimi deri në shprehje miniaturale, intonim që përkonte me momentin aktual kur bota po kanoset nga përfshirja totale ne luftë me paralajmërime të frikshme që vijnë nga agresioni rus ndaj popullit të Ukrainës, e që për ironi te fatit apo për të vërtetën që vetem arti di ta thotë presidenti ukrainas është, ndoshta jo rastesisht artist.
Këtë pikëtakim fatesh e hapte si dilemëshqyrtim shfaqja.
Kisha përshtypjen se drama nuk po luhej porse po ndodhte aty për aty dhe ne po bëheshim pjesë e saj.
Tensioni dramatik dhe detektimi i frikes
Shikimi i përqendruar i aktorëve na i thonë fjalët që drama i heshtëte, duke krijuar tension dramatik, ajo e detekton friken e cila po rritej porse në shfaqje ajo bëhej kategori estetike e ndërtuar nga Mullqi si autor dhe regjisor, i cili me këtë tekst sikur e preku kulmin e krijimit të dramës së absurdit të luftës dhe absurditetit që njeriu e ka në qenien e tij; nevojën për dominim dhe mospërmbajtje nga tundimi kur i vije rasti t’i nënshtroj të tjerët duke u identifikuar me fuqinë e zotit
E ambientuar në një heshtje apokaliptike ku jeta ziente në kazanin e vdekjes e tundur nga kuzhinierët gjeneralë, të cilët pas kalvarit të vdekjeve që kishin lënë pas vetes, nuk po e gjenin rrugën e vdekjes për vete. Në këtë rrugëtim ata konstatoj në dinjitetin e munguar ngase atyre u ka plasur bomba në bëthamën e njerëzores, që për pasojë ka një errësire të pafund të natyrës së njeriut.
Derisa shfaqja ndodhte aty për aty, liria tundohej e mbështjellë me frikën dhe e merr një dimension tjetër të cilin vetëm teatri e kthen në art, si një organizëm i gjallë, i drejtpërdrejt dhe i ndryshueshëm në kërkim të s’vërtetës asaj drite e cila po fikej në sy por ngjallej në shpirt. Kjo, pastaj, shkonte përtej teatrit duke e shtyr njeriun të ec rrugës së frikës për të nesërmen që në esencë është kuptimi i ndryshimit.
Që nga Troja si atdheu i luftës, dashurisë e tradhtisë më të madhe që ka njohur njerëzimi deri te lufta më e re, agresive, e Rusisë kundër Ukrainës që ka mobilizuar friken e të gjithë popujve për fatin e planetit, gjeneralët e Haqif Mulliqit, si Alfadorët dhe Betadorët bëhen pronarë të fatit të njerëzve dhe lufta bëhet qëllim në vetvete, shpërbëhet njerëzorja dhe triumfon vdekja. Të gjitha këto thellësi ndjesore me shumë domethënie për jetën rreth nesh i prek shfaqja me skenografi “të varfër” e me kuptime shumëdimensionale si tekst, aktrim, koreografi, regjisurë e mesazh.
Dialogët midis gjeneralëve që në fakt ishin kipc i njëri-tjetrit, nxirrnin thellësitë ku ngjizet karakteri duke na e vëmendësuar shkretërimin e mendjes njerëzore deri në përdorimin e pullës së kuqe për ta ndezë bombën atomike si një fund të triumfit të çmendurisë.
Teksti i shkruar mrekullisht i Mulliqit, ngjitej me interpretimin brilant të Ismet Azemit dhe Basri Lushtakut, të ndihmuar edhe nga Adem Zhitopotoku, me gjetjet e sakta mizanskenike si dhe me harmoninë e veprimeve foljore dhe fizike që unifikoheshin në dilemen e fatit të njeriut, finalizohet në mendjet e spektatorëve si një vlerë teatrore e cila i flet kohës.
Çështja është të shikosh thellë në vetvete se ku është pika e zezë e cila na e lëndon dashurinë për jetën e cila pastaj vdekjen e bënë si një akt të natyrshëm, rol qës ecili di ta luaj.
E vetmja gjë që më pengojë ishin fundoret e zeza që nuk lejonin që edhe si si fotografi shfaqja të merrte thellësinë e përjetimit.
Andaj do doja ta shoh në thellësi të pafundme të cilat shfaqja na i dha si meditim, shqyrtim, frikë, dashuri e respekt për qenien e artistit i cili i pari e heton dhe detekton të keqen si kanosje.
(Autori është regjisor, dramaturg. Aktualisht drejtor i Teatrit të Qytetit “Avdush Hasani” në Podujevë)