ShFKQ-ja: Neglizhenca e AUV-së po i mbyll fermat e Kosovës
Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit (ShFKQ) përmes një komunikatë për medie ka theksuar se fermerët e Kosovës i përkrahin plotësisht kërkesat dhe shqetësime e Shoqatës së Qumështoreve lidhur me papërgjegjësinë e Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinës (AUV).
“Ekzistenca e 2500 fermerëve të Kosovës është rrezikuar vazhdimisht për shkak të mungesës së vullnetit të AUV-së për t’i trajtuar shkeljet që janë duke u bërë në sektorin e qumështit që sa e sa vite nga prodhues dhe importues të papërgjegjshëm. Kjo problematikë nuk është e re dhe ne vazhdimisht kemi njoftuar organet relevante, por kjo rrezikon që të margjinalizohet pikërisht për shkak të mungesës së angazhimit të AUV-së që të mbrojë konsumatorin vendor nga rreziqet e produkteve me përmbajtje të dyshimtë”, është thënë në komunikatën e Shoqatës së Fermerëve Kosovarë të Qumështit.
Kjo shoqatë ia ka bërë me dije Qeverisë së Kosovës dhe opinionit se në vazhdimësi ka rënie të prodhimtarisë vendore të qumështit dhe mbyllje të fermave, për shkak të konkurrencës së padrejtë që është duke ndodhur nga produktet me vaj palme dhe përbërës të tjerë, që sipas kësaj shoqate, përveç rrezikshmërisë ekonomike kanë edhe rrezikshmëri shëndetësore.
“Për shkak të kësaj neglizhence sa për ilustrim, tani në Kosovë prodhohen 20 milionë litra më pak qumësht sesa në vitin 2014. Prandaj i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës se është momenti i fundit që të ndërmarrë masa sa më shpejt në drejtim të funksionalizimit të AUV-së. Duhet të kihet parasysh se 2500 fermerë kosovarë nënkuptojnë 2500 familje kosovare dhe disa mijëra kosovarë të tjerë të punësuar në këto ferma. Andaj mosfunksionalizimi i AUV-së rrezikon mbylljen e mëtejshme të fermave tona dhe ekzistencën e mijëra të punësuarve në to”, është theksuar në komunikatën e Shoqatës së Fermerëve Kosovarë të Qumështit.
/Epoka e re/