
Shfuqizimi i ligjit për KPM-në – Tahiri: Kushtetuesja mbrojti fjalën e lirë nga censura e pushtetit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ka shfuqizuar Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, duke e cilësuar këtë si një “fitore të madhe për fjalën e lirë dhe për mediat e pavarura në Kosovë”.
Tahiri ka deklaruar se ky ligj ishte një përpjekje e pushtetit aktual për të kontrolluar mediat dhe për të kufizuar lirinë e shprehjes, ndërsa ka theksuar se PDK-ja e kishte kontestuar atë që në fillim për shkak të rrezikut që paraqiste për demokracinë në vend.
“Sot, Gjykata Kushtetuese ka folur qartë: ky pushtet ka shkelur Kushtetutën, ka cenuar lirinë e medias dhe ka tentuar të heshtë fjalën e lirë,” është shprehur ai.
Sipas Tahirit, ky vendim është një moment i rëndësishëm jo vetëm për politikën, por për të gjithë qytetarët dhe gazetarët që, siç thotë ai, “nuk pranojnë të heshtin”. Ai ka theksuar se Kosova ka nevojë për institucione të pavarura dhe media të guximshme, jo për pushtete që frikësohen nga liria.
“Liria e fjalës nuk negociohet. Dhe sa herë të cenohet, do të na ketë përballë,” ka përfunduar deputeti i PDK-së.