ShGSK-ja takim të frytshëm me gazetarët sportivë të Greqisë
Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës (SHGSK) gjatë qëndrimit në Greqi, ka zhvilluar takim edhe me kolegët e Asociacionit Grek të Gazetarëve Sportivë.
Presidenti i këtij asociacioni Yannis Theodorakopoulos, i shoqëruar nga sekretarja e përgjithshme Aspasia Velonaki dhe anëtarët tjerë të bordit, i kanë uruar mirëseardhje drejtuesve të SHGSK-së.
Takimi ka nisur me përgëzimet e palës greke për rezultatin e Kombëtares së Kosovës, të arritur në takimin e së dielës në Athinë, ndaj Greqisë.
Presidenti Theodorakopoulos ka thënë se “sot po hapet një derë e re e komunikimit dhe bashkëpunimit” dhe se është ndjerë jashtëzakonisht i lumtur me përshtypjet e Aspasia Velonakit gjatë qëndrimit në Kosovë, dy vjet më parë.
Presidenti i SHGSK-së, Edmond Thaçi i ka dorëzuar homologut të tij Yannis Theodorakopoulos një mirënjohje, në shenjë të bashkëpunimit të mirë rajonal, e i cili pritet të zgjerohet edhe më shumë.
Thaçi ka kërkuar që Asociacioni Grek dhe ai i Kosovës, të fillojnë konkretisht me projekte të përbashkëta që do t’i ndihmonin komunitetit të gazetarëve sportiv në të dyja vendet.
Organizimi i seminareve, shkollave verore dhe promovimi i barazisë gjinore dhe reporterëve të rinjë, kanë qenë disa nga pikat e diskutimit mes palëve.
Theodorakopoulos e ftoi SHGSK-në që në verën e vitit 2022 të jetë në Greqi në Lojërat e Egjeut dhe Universitetin Veror të Gazetarëve Sportivë, e cila u mirëprit nga delegacioni kosovar.
Greqia është vend kandidat për ta marrë presidencën e Asociacionit të Gazetarëve Sportivë të Evropës Juglindore (SEESJA), pjesë e së cilit është edhe SHGSK-ja.
Në fjalën e tyre e përshëndetën takimin edhe sekretari i përgjithshëm i SHGSK-së Artan Muhaxhiri, nënkryetarja Alba Merovci dhe anëtari i bordit Ejup Llumnica, të cilët poashtu folën për mundësitë e shumta të bashkëpunimit dhe promovimit të gazetarisë sportive te të rinjtë.
Gjatë qëndrimit në Greqi, drejtuesit e SHGSK-së kanë takuar edhe komunitetin e bashkatdhetarëve tanë nga Shqipëria, marrë parasysh numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë në kryeqytetin helen.