Shi dhe breshër i madh në Gjermani
Shirat e dendur kanë prekur të gjithë Gjermaninë, me përmbytje të raportuara në shumë rajone, sidomos në shtetin jugor gjerman të Bavarisë.
Sipas një zëdhënësi të policisë në qytetin Kempten, në jug-perëndim të Mynihut, rrugët janë zbardhur nga breshëri, me rreth 320 operacione të raportuara nga shërbimet e urgjencës.
Bëhet e ditur se më të prekura ishin rajoni Allgäu dhe rrethi Lindau, pranë liqenit të Konstancës dhe kufirit me Austrinë.
Ndërkohë, 230 operacione të tjera u regjistruan nga stacioni i policisë në qytetin Rosenheim në lindje.
Deri më tani, nuk raportohet për të lënduar, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
Shiu i dendur ka shkaktuar dëme edhe në pjesë të shtetit verior të Saksonisë së Poshtme, duke përmbytur bodrumet dhe rrugët.
Operacione të mëdha janë zhvilluar kryesisht në qarkun Bentheim pranë kufirit holandez, me më shumë se 100 incidente të regjistruara në qytetin e Nordhorn.
Përmbytjet shkaktuan mbylljen e përkohshme të urgjencës së një spitali, ndërsa rezervuarët e tejmbushur çuan në dëmtime të zonave të banuara.
Disa rrugë u mbyllën herë pas here, me rreth 200 zjarrfikës të thirrur për t’iu përgjigjur përmbytjeve.
Më në jug, erërat e forta shkaktuan dëme në vlerë prej 130,000 euro në disa ndërtesa banimi – duke përfshirë një shtëpi të moshuarish – në qytetin e Dissen që ndodhet në një pyll afër qytetit të Osnabrück.
Ndryshe, shërbimi gjerman i motit pret që stuhitë e izoluara të sjellin reshje të tjera të dendura në Saksoninë e Poshtme, veçanërisht në zonat bregdetare.