Shifra alarmante, 42 mijë qytetarë ikën nga Kosova në vitin 2021
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar së fundmi vlerësimin e popullsisë, e ku tregon statistika interesante për gjendjen e përgjithshme në vend. Në Raportin e ASK-së i titulluar “Vlerësimi i Popullsisë”, e që është raport i rregullt vjetor, një e dhënë alarmues vërehet: popullsia e Kosovës është zvogëluar gjatë vitit 2021.
Saktësisht 24 mijë vetë më pak jetojnë në Kosovë nga viti i kaluar, ndërsa 42 mijë veta kanë ikur nga Kosova, e rreth 30 mijë lindje u shënuan në vitin e kaluar.
Rritja e zhvillimi ekonomik për të cilën flet Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, duket se nuk po ndihet nga qytetarët e Kosovës. Ndonëse Qeveria Kurti vazhdon të mburret me punësimin e mijëra personave, ikja nga vendi po vazhdon të jetë alarmante.
Gjatë vitit të kaluar, kohë kur Kurti filloi qeverisjen me Kosovën, dhjetëra mijëra qytetarë kanë vazhduar të ikin nga vendi. Saktësisht 42 mijë persona kanë emigruar nga Kosova, sipas ASK-së.
Sipas kësaj agjencie shtetërore, edhe bilanci i migrimit ndërkombëtar i Kosovës është negativ.
“Bilanci i migrimit ndërkombëtar- në Kosovë për vitin 2021 ishte -38,606 banorë”, thuhet në raportin e ASK-së.
Tutje, ASK tregon që në total nga Kosova kanë emigruar 42 mijë persona, qoftë në rrugë legale apo ilegale.
“Numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2021 është vlerësuar të jetë gjithsej 42,728 banorë përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë”, shkruan në raportin e publikuar dje.
ASK ka treguar se shumica dërrmuese e emigrimit ishte legal në vitin 2021, duke listuar shkaqet e kësaj ikje.
“Pjesa dërmuese e emigrantëve për vitin 2021 ishin emigrantët legal. Emigrimi legal ishte për shkak të: bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi pune, shpërnguljes së përhershme (kryesisht në shtetet fqinje), studime afatgjata me punësim etj. Përveç vendeve të BE-së dhe EFTA-së një numër I kosovarëve kishte emigruar edhe në vende të tjera kryesisht në SHBA, Turqi, Kanada dhe vende tjera”, thuhet në Raport.
Ndërsa tek pjesa e natalitetit, ASK ka dhënë shifrën zyrtare prej afër 30 mijë lindjeve për vitin e kaluar.
“Lindjet – sipas të dhënave preliminare numri i lindjeve të gjalla për vitin 2021 që kishin deklaruar si vendbanim rezident Kosovën ishte gjithsej 29,236 lindje”, shkruhet ASK në raport.
Ndërsa gjatë vitit 2021, janë shënuar gati 15 mijë vdekje.
“Vdekjet- numri i rasteve të vdekjeve në vitin 2021 që kishin deklaruar vendbanimin rezident në Kosovën ishte gjithsej 14,845 raste të vdekjeve”, theksohet në raport.
Andaj, sipas, ASK popullsia e Kosovës gjatë vitit 2021 është zvogëluar për 24,215 banorë.
Një shifër e tillë arrihet pasi është analizuar shtimi i popullsisë, migrimi jashtë vendit dhe vdekjet përgjatë 12 muajve të vitit të kaluar.
“Sipas “Vlerësimit të popullsisë për vitin 2020” numri i popullsisë rezidente në Kosovë në fund të vitit 2020 është vlerësuar gjithsej 1.798.186 banorë rezident, numër ky që është marrë si e dhënë bazike për të vlerësuar numrin e popullsisë për vitin 2021”, thuhet tutje në raport.
Kryeministri Albin Kurti vazhdimisht ka përmendur rritjen ekonomike e numrin e madh të punësimeve gjatë kohës së qeverisjes së tij.
Siç ka shkruar kohë më parë Nacionale, Qeveria Kurti vazhdimisht po rithekson se gjatë qeverisjes së tij 1 vjeçare janë punësuar mijëra persona në Kosovë.
“Ky stabilitet ka sjellë edhe rritjen e indikatorëve ekonomikë, tha kryeministri dhe përmendi rritjen ekonomike prej 10,53 për qind, ngritjen e eksporteve për mbi 83 për qind, ndërsa të investimeve të huaja direkte rreth 22 për qind. Po ashtu janë rritur për 30 për qind të hyrat tatimore, të hyrat doganore për 31 për qind, ndërkohë që ekonomisë i janë shtuar 25,000 vende pune”, thuhej në një komunikatë e lëshuar nga Qeveria Kurti.
Ndryshe kujtojmë që gjatë muajve të fundit, sipas ASK-së, inflacioni në Kosovë është rritur në 12.5 për qind, teksa sipas indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit është rritur për 0.9 për qind.