Shillova: Drenica synon mbijetesën, jo finalen e Kupës

16 qershor 2020 | 14:05

Pavarësisht se Drenica e ka edhe ndeshjen kthyese në kuadër të gjysmëfinales së Kupës, synim kryesor e ka mbijetesën dhe jo kualifikimin në finale të Kupës.

Skuadra e Drenicës ka treguar formë të lartë në dy ndeshjet e fundit ku mori katër pikë ndaj skuadrave të forta siç janë Ballkani dhe Llapi. Madje në të dyja ndeshjet skuadra kuqezi luajti si mysafire dhe tash pret ndeshjet e radhës me qetësi më të madhe.

Sulmuesi Alban Shillova, që realizoi dy golat e fitores kundër Llapit, ka thënë për “Epokën e re” se Drenica e ka synim që të vazhdojë me ndeshje të tilla në kampionat dhe ta arrijë mbijetesën. “Jemi të kënaqur se kemi arritur të marrim katër pikë në dy ndeshje, kurse synim e kemi të mbajmë këtë ritëm kundër rivalëve për mbijetesë. Atmosfera në klub është shumë e  mirë dhe besoj se do ta arrijmë objektivin”, ka thënë Sillova.

Ndryshe nga kampionati, Drenica në Kupë nuk është treguar skuadër serioze përballë Prishtinës, ku pësoi humbje 3-0. Edhe Shillova është i të njëjtit mendim me trajnerin Gani Sejdiu, i cili ditë më parë deklaroi se klubi kuqezi ka pak gjasa që të kualifikohet në finale. Ndeshja kthyese e gjysmëfinales së Kupës zhvillohet nesër (e mërkurë). “Në ndeshjen kthyese të Kupës kundër Prishtinës është e vështirë të arrihet përmbysja, pasi rezultati i ndeshjes së parë është i lartë. Objektivi ynë mbetet që ta arrijmë mbijetesën”, ka deklaruar Shillova.

Sulmuesi i dëshmuar në futbollin e Kosovës është i huazuar në skuadrën e Drenicës, pikërisht nga Prishtina. Skuadra që drejtohet nga trajneri Gani Sejdiu aktualisht renditet në vendin e shtatë me 34 pikë të grumbulluara, kurse ndeshjen e radhës në kampionat e zhvillon kundër Flamurtarit në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

/Veton ZYMBERI/  

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard ka kërkuar nga ish-klubi i…