Shillova: Kam besim të plotë në fitoren ndaj Ballkanit
Sulmuesi Alban Shillova është rikthyer nga lëndimi dhe është paraqitur rreth 25 minuta lojë në ndeshjen kundër Gjilanit. Sulmuesi pati një rast ideal që të shënojë gol, por gjuajtja e tij u ndalua nga portieri në formë të mirë, Enea Koliçi.
Shillova është shprehur i kënaqur që është rikthyer, por është i zhgënjyer me humbjen e pësuar.
“U ndjeva shumë mirë që u ktheva sërish në fushë, megjithëse kthimin e prisja edhe më herët, por lëndimi e bëri të veten. Gjithsesi do të ndihesha edhe më mirë dhe jo i zhgënjyer sikur do të përfundonte rezultati ndryshe nga ai që përfundoi. Pata një rast ideal, por portieri Koliçi ishte thjesht i pamposhtur”, ka thënë Shillova për faqen zyrtare të klubit kryeqytetas.
“Tani na pret ndeshja të mërkurën me Ballkanin. Mision i vështirë, por jo i paarritshëm. Ne shkojmë për pikët e plota për çka kam besim të plotë në grupin e lojtarëve që kemi pasi këtë gjë e kanë dëshmuar me lojë. Neve na duhet të na përcjellë pak edhe fati më shumë, sidomos më shumë sesa në ndeshjen e djeshme”, ka shtuar Shillova.
(Epoka e re)