Shillova: Kjo skuadër nga Shqipëria më kërkoi në janar
Mes shumë emrave të huaj për një qendërsulmues, Partizani tentoi në janar edhe golashënuesin e Superligës së Kosovës, Alban Shillova, por marrëveshja nuk u gjet. Lajmin e ka konfirmuar vetë sulmuesi 26-vjeçar.
Ky i fundit luan aktualisht te Flamurtari i Prishtinës, ndërsa pesë vite më parë ka qenë edhe pjesë e Bylisit në Kategorinë Superiore, pikërisht në gjysmën e dytë të sezonit 2013-2014, ku dhe ballshiotët u përjashtuan nga kampionati pas incidenteve në ndeshjen ndaj Laçit. Shillova luajti vetëm gjashtë ndeshje në Superiore dhe më pas u kthye në Kosovë, ndërsa tashmë lë gjithçka të hapur për një transferim në verë te Partizani.
“Jam gati ta provoj veten në një kampionat edhe më të fortë. Mund t’ju zbuloj se në janar kam pasur ofertë nga Partizani i Tiranës, por edhe ekipe të tjera nga kampionati shqiptar. Nuk u arrit diçka me Partizanin, sepse nuk ka qenë diçka shumë konkrete. Megjithatë, shpresoj që në verë të kem një ofertë serioze”, deklaroi Shillova për “RTV Dukagjini”.
Qendërsulmuesi ka shënuar deri më tani 10 gola me Flamurtarin e Prishtinës në Ipko Superligën e Kosovës, duke qenë i dyti në renditjen e golashënuesve të kampionatit pas Kastriot Rexhës së Feronikelit me 12 gola.