Shillova synon epitetin e golashënuesit dhe kreun me Flamurtarin
Alban Shillova synon të shpallet golashënuesi më i mirë në IPKO Superligë. Ai po kërkon edhe rezultate sa më pozitive me skuadrën e Flamurtarit nga Prishtina.
Nuk është vetëm skuadra e Flamurtarit befasia në këtë edicion në futbollin e Kosovës. Befasi tjetër është edhe sulmuesi Alban Shillova, i cili është pjesë e skuadrës kuqezi. Shillova në tetë xhirot e para ka shkëlqyer në IPKO Superligë, duke shënuar tetë gola. Pa dyshim se është më meritori për rezultatet e klubit kryeqytetas në Superligë.
Për “Epokën e re” Alban Shillova ka thënë se është i kënaqur me atë që ka ofruar deri tash në elitë, kurse premton se do të vazhdojë me këtë ritëm edhe në ndeshjet e radhës.
“Jam mjaft i kënaqur për formën individuale dhe të ekipit të Flamurtarit. Kryesore për mua janë sukseset e skuadrës. Jam i përgatitur mirë fizikisht dhe do të shënoj shumë gola. Mbase do të jem i pari në listën e golashënuesve”, ka thënë Shillova, i cili ka shprehur optimizëm se edhe skuadra e Flamurtarit do të vazhdojë të shfaqë lojëra të mira dhe të marrë rezultate pozitive në xhirot e radhës. “Besoj se Flamurtari ka qenë befasi e mirë e këtij kampionati dhe në vazhdimësi ka treguar se është në gjendje të tregojë lojëra të mira dhe të marrë rezultate të favorshme. Atmosfera është e mirë në klub dhe besoj se rezultatet nuk do të mungojnë”, ka shtuar ai.
/Veton ZYMBERI/