Shinasi Berisha, ikona e ndarjes së drejtësisë në futboll

11 prill 2019 | 15:34

Federata e Futbollit e Kosovës ka mbajtur të enjten mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së ish-gjyqtarit të parë me stemën e FIFA-s, Shinasi Berisha, i cili ndërroi jetë në orët e hershme të ditës së martë e ku, përveç familjarëve, morën pjesë presidenti i FFK-së, Agim Ademi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Kujtim Gashi, kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, drejtues të KF ‘Prishtina’ si dhe miq e bashkëpunëtorë të të ndjerit dhe personalitete të shumta nga sporti, kultura dhe sfera të tjera të jetës.

Në emër të Federatës së Futbollit foli sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, i cili e vlerësoi Shinasi Berishën në mesin e gjyqtarëve më të mirë të të gjitha kohëve në Kosovë dhe ish-Jugosllavi. “Shinasi Berisha jo vetëm që ishte një nga gjyqtarët më të mirë nga Kosova dhe ish-Jugosllavi, gjyqtar ndërkombëtar me reputacion, por nga paraqitja e tij fizike i pashëm, autoritativ dhe lider i lindur si në kompaninë ku punojë, ashtu edhe në KF ‘Prishtina’, pastaj si gjyqtar ndërkombëtar dhe si kryetar i Komisioneve dhe Shoqatave në FFK. Shinasi Berisha ishte ndër të parët që e udhëhoqi procesin e pavarësimit të sportit në vitin 1991, duke i qëndruar besnik klubit të tij të zemrës Prishtina, e më vonë së bashku me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë udhëhoqi Shoqatën e Gjyqtarëve. Vendi i tij në historinë e sportit mbetet i pakontestueshëm, por ne do ta mbajmë në mend edhe për praninë dhe hijeshinë e tij në fushë, gjestet e jashtëzakonshme sportive që i ngazëllenin shikuesit”, ka thënë Salihu.

Ndërkaq ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, theksoi se Kosova mbeti pa njeriun i cili dha kontribut të madh në ndarjen e drejtësisë në fushën e gjelbër.

“Kosova ka humbur një ekspert dhe gjithsesi ka humbur një njeri e një familjar të jashtëzakonshëm. Ai ka dhënë një kontribut të çmuar për sportin edhe në promovimin e vendit si gjyqtari i parë sportiv në FIFA. Kontributi i tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe mungesa e tij do të vërehet në mesin tonë dhe veçanërisht te komuniteti sportiv. Shinasiu gjithkund do të kujtohet me pietet dhe si profesionist i madh”, ka deklaruar Gashi.

Ndërsa në emër të familjes Berisha ka folur djali i të ndjerit, Shinasi Berisha, Fatosi. Ai tha se sukseset e babait të tij i kanë përjetuar të gjithë në familje.

“Duke u rritur me Shinasiun, në prapavijë jam rritur me futbollin e Kosovës dhe i kam mësuar të gjitha vështirësitë, bukuritë dhe të gjitha gëzimet. E kujtoj edhe kohën e artë të Prishtinës, kur Prishtina ishte ajo çfarë ndoshta është sot Kombëtarja e Kosovës, ku të gjithë e donin dhe e përkrahnin dhe kur ai ishte në krye të Prishtinës, kur kjo skuadër ishte avancuar në Ligën e Parë. Të gjitha ato suksese të mëdha i kemi përjetuar edhe ne në familje. Por, i kemi ndarë edhe hidhërimet që shkojnë bashkë me sportin, i kujtojmë edhe kohët e vështira që i kemi kaluar të gjithë ne si shoqëri dhe sporti në veçanti në kohën e pavarësimit, kur sporti ishte mjet i rezistencës dhe babai ishte pjesë e kësaj rezistence së bashku me shumë prej jush që jeni këtu të pranishëm”, është shprehur Fatos Berisha.

Varrimi i të ndjerit Shinasi Berisha u bë të enjten në Prishtinë.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Menaxhmenti i Postës së Kosovës, ka kërkuar nga Kuvendi i…