SHITËSI DHE BLERËSI

01 shkurt 2022 | 16:47

Berat Armagedoni

Java e dytë e muajit të tretë kishte filluar.

Fazli Qopa në dy javët e fundit as nuk kishte ardhur në shitore, as nuk kishte kaluar rrugës ku Bislim Barku e kishte shitoren.

Qopa e kishte shtëpinë në lagjen Kodra, ndërsa Barku e kishte shtëpinë dhe shitoren në lagjen Rrafshi. Nuk ishte kushedi çfarë kodre. Ishte një përpjetë e shkurtër në krahasim me rrafshin. Kushedi për çfarë arsye i kishte mbetur ai toponim krejt kot. Në gjithë fshatin Ukshaj kishte vetëm dy shitore ushqimore.

Njëra ishte e Rifatit, tjetra e Bislimit. Në to kishte mallra të mjaftueshme për njëqind e dyzetë e tetë shtëpitë e lagjeve të fshatit dhe për një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e një banorët e tij. Në to gjeje gjithçka. Mund të gjeje edhe ilaçe për dhimbje të kokës. Çfarëdo që mbante Rifati në shitore, mbante edhe Bislimi.

Të dy shitësit, ani pse nuk kishin asnjë marrëveshje, blerësit i kishin ndarë thikë përgjysmë. Për çudi, banorët e lagjes së Rifatit, që ishin kryesisht arsimtarë dhe profesorë të shkollave, shkonin blinin në shitoren e Bislimit, kurse ata të lagjes së Bislimit shkonin blinin në shitoren e Rifatit e që ishin kryesisht punëtorë të fushës e të maleve. Rrallë ndonjë prej tyre ishte mësues ose punonjës fabrike. Fqinjët e parë, ndoshta për shkak të xhelozisë që u shkonte biznesi mirë, nuk donin t’ua shtonin edhe më shumë pasurinë fqinjëve të vet.

Fazli Qopa ishte fqinji i dytë i Rifatit. Çdo dy tri ditë, pasi kalonte kah shitorja e tij, bënte tetëqind metra rrugë këmbë dhe vinte blinte gjësende në shitoren e Bislimit. E nëpërkëmbte punën e fqinjit të vet dhe shitësin të cilin, gjatë pranverës, pasi e shihte para shitores duke marrë rreze dielli të nevojshme për lëkurën, vetëm e përshëndeste teksa kalonte para tij me qeset e mbushura me mallra që kishte blerë në shitoren tjetër.

Fazliu dhe Rifati nuk kishin raporte aq të mira dhe, ani pse shtëpitë i kishin afër njëra-tjetrës tridhjetë metra, bisedë më të gjatë sesa një përshëndetje nuk bënin me njëri-tjetrin as kur takoheshin në ndonjë të pame dhe gazmend familjar të fqinjëve. Por, meqë dy javë kohë Fazliu nuk kishte shkelur në shitoren e Bislimit, këtij i ishte mbushur mendja se ai është duke blerë gjësende ushqimore në shitoren e Rifatit. Pasi i ishte krijuar kjo bindje, e pyeste të birin dhe të bijën, të cilët bashkë me të punonin në shitore, nëse e kishin parë ndonjë ditë duke kaluar kah shitorja ose nëse kishte qenë ndonjë ditë në shitoren e tyre kur ai nuk kishte qenë aty. I biri i tha as nuk ka qenë as nuk e ka parë. Edhe e bija iu përgjigj njëjtë. Bislimi mendoi pak kohë dhe foli: – Çudi kah shkon ai në shkollë. Rrugë tjetër përpos kah shitorja jonë s’ka. Duhet me e pyet nesër Brahimin për të se a është duke dalë në shkollë.

E bija, pasi e dëgjoi të atin me vëmendje, i tha: – Po, në shkollë po vjen. Sot patëm mësim me të.

– E qysh po vjen në shkollë pa kaluar kah shitorja jonë se?!, – shprehi mëdyshje Bislimi.

Ashtu si e bija, edhe i biri i thanë, “vetëm nëse vjen trup arave”.

– Aha, aha… – bëri dy a tri herë dhe i kërkoi të bijës fletoren e borxhlinjve. Në faqen 36 të saj e gjeti emrin e Fazli Qopës. E mblodhi borxhin e tij të një muaji dhe, në fund të faqes, shkroi shifrën e përgjithshme 465 marka dhe poshtë saj “s’ka më veresi”. U bëri me dije fëmijëve që më mos t’i jepnin veresi asnjë majë fyshti.

Vajza, kur mori urdhrin e të atit, u ndie pak keq dhe iu afrua të vëllait dhe me gjysmë zëri i tha: – Më vjen marre mos me i dhanë veresi mësuesit Fazli. Sa herë që vjen ai unë do të dal prej shitores se nuk mund ta kthej mbrapsht duarthatë. Vëllai ia tumiri kërkesën vetëm me lëvizje të kokës ndërsa i ati, që bëhej kinse nuk po e dëgjonte të bijën, tha: – Ky nuk është ma myshteri i joni dhe pa i shku te dera me ia lyp borxhin, s’na shkel derën kurrë ma.

E bija deshi të fliste diçka, por fjalën nuk e la ta nxjerrë i ati i saj, i cili e porositi: – Emë, thuaji nesër mësuesit Fazli baba të ka çu të fala dhe ka thënë hajde lama borxhin.

U rrëqeth e tëra sikurse të ishte duke shtyrë lopatën në ndonjë pllakë çimentoje. S’mund të fliste asnjë fjalë. I ati ia përsëdyti: – A more vesh? Me një ton të ulët dy herë i tha “po, po”. Ndjenjën bashkë krejt edhe pesë a gjashtë minuta dhe u shpërndanë nëpër dhoma të gjumit.

Mëngjesi në shtëpinë e Bislimit kishte zbardhur. Edhe pse zakonisht binte më herët dhe çohej më herët sesa gruaja, këtë mëngjes ishte zgjuar më vonë se ajo. U vesh, u mbath, doli në oborr dhe e pa gruan duke u hedhur grurë pulave dhe duke bartur ushqim për kafshët në ahur. E porositi t’i bëjë një kafe dhe t’ia sjellë në shitore. Tërë atë ditë, edhe pasi u kthye së pari djali, pastaj vajza, e cila i bëri me dije se nuk e ka parë mësuesin Fazli sot në shkollë dhe i thanë se kanë ardhur ta ndërrojnë, ndenji vetë në shitore. Priste ta shihte Fazliun. Por, as atë ditë nuk e pa. Në vend të tij pasdite erdhi myshteriu i tij më i rregullt, Brahimi, i cili, ashtu si Fazliu, ishte mësues në shkollën e fshatit.

Gjithë pasditen, pasi e përfundonte orarin e mësimit në shkollë, derisa perëndonte dielli, Brahimi vinte pinte birra të Malësisë në shitoren e Bislimit dhe i rrëfente për ndodhitë e mësuesve dhe të nxënësve në shkollë. Në javën e parë pas marrjes së rrogës, hante edhe meze, zakonisht ndonjë narezak, pas javës së dytë vetëm sallam dhe ndonjë copë të vogël të suxhukut industrial. Në javën e fundit të muajit pinte vetëm birrë, e cila, pa meze, e mundonte shumë. Ndodhte që villte edhe në lokal. Edhe pse e kishte mundësinë dhe besimin, nuk donte të hante dhe të pinte veresi. Derisa ai po i rrëfente për një ndodhi, për një përleshjeje mes dy mësuesve në shkollë, për të cilën Bislimi nuk shprehte interesim të madh, e pyeti:

– Brahim, a ma ke pa Fazlin bre?!

– Po, sot ndenjëm në sallën e arsimtarëve dhe e ndërruam nga një cigare.

– Po a po vjen në shkollë?!

– Po, po, për çdo ditë, – i bëri me dije Bislimit.

– E te ti, a po vjen?, – e pyeti Brahimi.

– Jo, sot e pesëmbëdhjeta ditë që as nuk ka ardhë këtu, as nuk ka trupu knejpari.

– Mos të ka borxh?!, – shprehi kureshtje Brahimi.

– Po, m’i ka rreth 500 marka.

– Mos u bëj merak, se t’i jep – dhe derdhi në grykën e fytit nja gjysmë litri birrë.

– Qare s’ka, se ka ble harxh, por duhet me u ba i gjallë bre, me i ra kah dera jeme prapë, – tha Bislimi.

– Ndoshta tash blen te Rifati, se e ka kushëri, – ia solli ndër mend shitësin tjetër dhe nuk i erdhi mirë që e dëgjoi emrin e tij.

– Le t’blen ku të don, por borxhin ai duhet me ardhë me ma la. Ka pesëmbëdhjetë ditë që e ka marrë rrogën dhe s’po i shkon mendja me ardhë me pagu borxhin, as me ardhë me ble harxh. Është e pamundur gjithë këtë kohë mos me ble, të paktën, një biber, – shprehi mendimin dhe shqetësimin e vet Bislimi dhe bëri me dije se sonte ka ndër mend të shkojë t’ia lypë borxhin.

– Ma mirë çoje djalin, – i sugjeroi Brahimi Bislimit.

– Mirë e ki, mirë e ki, – tha një pas një dhe disi mendueshëm.

Doli nga shitorja dhe pas pak u kthye brenda sërish. Dhjetë sekonda më pas në shitore erdhi edhe i biri i tij, Sherifi.

– Djali jem, shko deri te mësuesi Fazli dhe thuaji m’ka çu baba me ma pagu borxhin, se i kam puntë keq.

Djali, ashtu si vajza një natë më parë, hezitoi. I vinte keq t’i shkonte te shtëpia. Nuk ishte mësuar të shkonte te borxhlinjtë t’ua kërkonte borxhet, as t’ia mblidhte borxhet babës, aq më pak të mësuesve të vet dhe të motrës.

– Hajt se e takoj nesër në shkollë dhe i them, – i tha të atit.

– Jo nesër, jo në shkollë, por sot dhe te dera e shtëpisë. Nisu! – i dha urdhër i ati.

Nuk bëzani dhe, me keqardhje, trup arave, u nis drejt përpjetës për te shtëpia e Fazliut. Ecjen e tij derisa shkonte arave nga dritaret e shitores e vëzhgonin Bislimi dhe Bajrami dhe gjithë kohën, derisa djali u kthye në shitore, folën vetëm për Fazliun.

– Babë, mësuesi Fazli nuk ish kanë aty. Ndoshta a ka, por nuk doli. Doli gruaja e tij dhe tha: – Pasha zote, more ti djali i Bislimit, veç nëse na merrni një lopë ose shpirtin, se finikun n’shpi s’e kemi. Bislimi e dëgjoi me vëmendje dhe nisi të bëhet nervoz. Brahimi përpiqej ta qetësonte.

– T’i jep, t’i jep. Askush borxh deri sot nuk të ka mbetur, – ia kujtonte ai.

– As s’ka me mbet kush, o Bajram, se me pare t’miat e kam ble ata harxh që e ka hangër Fazlia me familje. S’ma ka fal kërkush këta mall. Po çka me ba se m’paska ba kahre mu me shku deri te shtëpia e tij, se veç ia ngjes qasaj lope për kërpeshi dhe e bi n’shpi.

Djali nuk bëzante, Bajrami veç derdhte birrë në fyt dhe e mbushte barkun, Bislimi veç ofshante. Mezi e kaloi atë pasdite dhe atë natë në shitore dhe në shtëpi. Një mendim i vinte, një tjetër i shkonte. Sa ndiente keqardhje për gjendjen e Fazliut dhe të familjes së tij, aq ndiente edhe për vete dhe familjen: – Na me këtë shitore po mbesim gjallë. Një markë prej shtetit s’e marr kurrë. Ai çdo muaj e merr rrogën.

Ra atë natë në shtrat, i rënduar shumë dhe nervoz. Gjumi s’i vinte, shqetësimet i shtoheshin. Në mesnatë e bindi veten që nesër pasdite, pasi të kthehej Fazliu në shtëpi nga shkolla, t’i shkonte te dera e oborrit dhe t’i thoshte ose paguaje borxhin me para, ose jepma lopën për të. Herë pas here njëfarë droje i vinte. Nuk kishte guxim të shkonte duarthatë. Dikush, një qenie abstrakte përbrenda tij, i thoshte se nuk i shkohet njeriut te dera e shtëpisë duarthatë. Çfarë nëse Fazliu të thotë as nuk ta paguaj borxhin, as nuk ta jap lopën.

Çfarë nëse të thotë pushka top t’u bëftë! Pastaj kur i kujtohej se mësuesi i historisë kishte dhënë kontribut atdhetar ndër vite, në qytetin e tyre kishte organizuar edhe protesta, nuk e kishte bash të lehtë t’i dilte përballë. Natën vonë shkoi në ahurin e lopëve dhe, përposhtë grazhdit të kafshëve, mbështjell nën një qese najloni të zezë e të mbuluar me kashtë, mori dhe nxori një revole të vogël. E kontrolloi karikatorin e saj. I numëroi një, dy, tre, katër, pesë fishekë. E futi në brez dhe u kthye në dhomën e gjumit, por gjumë nuk bëri as pesë minuta. Ofshama, po, nxirrte vazhdimisht, edhe djersë. Kishte siklet të madh. E paramendonte çdo situatë të ligë para shtëpisë së mësuesit Fazli.

Të nesërmen e hapi shitoren ende pa gdhirë dita mirë. Vështronte arat përballë shtëpisë, andej kah e kishte shtëpinë mësuesi Fazli. Mezi s’priste ta shihte Fazliun duke ecur nëpër to derisa shkonte në shkollë. Nuk e pa asgjëkund gjithë ditën e as pasdite. Pas orës 13.00 djali u kthye nga shkolla dhe erdhi ta ndërrojë babanë në shitore. Sapo e pa të atin nuk iu duk se kishte çehre të mirë. As nuk i tha gjë ai, as nuk i tha gjë ky. Bislimi vetëm doli nga shitorja dhe, duke prekur brezin me duar, ia mësyu shtëpisë së Fazliut trup arave nga, një ditë më parë, kishte rënë i biri i tij. Teksa shkonte te Fazliu, Bislimi fliste ndër vete: Ev Fazli, ev! Telashe vetes, telashe mu.

Ende pa mbërritur te dera e shtëpisë së tij, i pa dy njerëz te dera e tij. Njëri e kishte kapur një lopë për kërpeshi dhe e ngrehte, tjetri i mëshonte thupër vitheve. Me ta ishte edhe Fazliu që u thoshte “për hair ju qoftë!” Për një çast mendoi se, tash që këta borxhlinj ia morën lopën, çfarë t’i marr unë. Sipas gruas së mësuesit, tash atyre u kishte mbetur veç shpirti. Pasi ata bënë nja njëqind metra përtej shtëpisë së tij, Bislimi kapërceu rrugën kryesore dhe trokiti tri herë rëndë në dyert e oborrit të tij dhe thirri: O Fazlioooo… Nuk kishte nevojë për një thirrje tjetër sepse ishte e madhe dhe e gjatë. Pas pak Fazliu hapi derën e dyerve të oborrit dhe, pas përshëndetjes me të, e ftoi të hynte brenda.

– S’kam ardhë me nejtë, mësues Fazli. Kam ardhë për… – i vinte vështirë t’ia thoshte arsyen, sepse ai mund ta merrte me mend çfarë kërkonte para derës së tij.

– Ke bërë mirë që ke ardhur, se ka disa javë që s’të kam parë dhe qenkam përmalluar për ty. Po eja brenda të pimë nga një kafe dhe të bisedojmë – dhe e kapi për krahu në shenjë respekti, por këtë gjest të tij nuk e priti mirë Bislimi, i cili hapi gojën dhe foli:

– Nuk kam kohë as për një kafe. E kam lanë shitoren vetëm. Erdha për qata borxh, – ia kujtoi, më në fund, ardhjen te pragu i shtëpisë.

– Po bre Bislim, po e di që për pare ke ardhur, se po të merrte malli për mua do të vije para dy jave. Edhe paratë do t’i jap, kësmet.

– Menjëherë, – i tha Bislimi, – menjëherë, – ia përsëdyti kërkesën që mësuesit i dukej urdhër.

– Po a di gjë sa të kam borxh?, – e pyeti teksa vetë nxori një bllok shënimesh nga këmisha.

– 465 marka t’gjermanit. Rrafsh një lopë! – i tha me ton të lartë dhe vështroi goxha larg dy njerëzit që ecnin paralelisht me lopën e tij.

Pasi verifikoi bllokun e shënimeve, në të cilin mësuesi Fazli kishte regjistruar të gjitha blerjet nga shitorja e Bislimit, i nxori 500 marka nga kuleta dhe ia lëshoi në dorë.

– Qe borxhin, Bislim, e ma bëj hallall. Derisa e shita lopën për këto pare s’kisha ku t’i merrja tjetër e as nuk kisha fytyrë të kaloja kah shitorja jote e të të dilja përballë. E kemi pasur një rast në familje e rroga m’u shpenzua shpejt.

Bislimi e kapi pesëqindëshen në duar dhe te shiriti i saj, me fërkim te gishti i madh dhe tek ai tregues, verifikonte mos janë false. Pasi u sigurua se janë origjinale, i futi në xhep. Asnjërit nuk i shkoi mendja t’i thotë se janë 35 marka për kusur. Megjithatë, Bislimi i tha diçka: – Mësues, derën çel e tek unë ditën dhe natën. Mirë se vjen!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Georgina Rodrguez po komentohet shumë së fundmi për dokumentarin e…