Shitësit e cigareve protestojnë para ATK-së: Kërkojnë trajtim të dinjitetshëm
Dhjetëra biznese që merren me shitjen e cigareve në Kosovë kanë protestuar të hënën para objektit të Administratës Tatimore në shenjë pakënaqësie për trajtimin e kësaj kategorie.
Sipas tyre, kontrollet e ATK-së po i detyrojnë edhe t’i mbyllin bizneset, andaj kërkojnë trajtim të dinjitetshëm.
Lulzim Kastrati, përfaqësues i protestuesve tha se arsyeja e protestës është trajtimi që po i bën ky institucion këtyre bizneseve.
“Sot kemi dalë për të shprehur pakënaqësitë tona lidhur me trajtimin që është duke na u bërë nga ana e ATK-së me rastin e kontrolleve që janë zhvilluar dhe që janë duke u zhvilluar. Po ashtu kemi dalë që të shprehim shqetësimet që mos të përsëritet edhe njëherë viti 2015-16, ku ATK-ja në të njëjtën formë i kishte rritur çmimet dhe për të gjitha rastet në atë kohë Gjykata kishte vendosur në favorin tonë, vetëm se neve në atë kohë na ka pamundësuar funksionimin, ku disa prej neve jemi detyruar që t’i mbyllim bizneset”, tha Kastrati.
“ATK-ja ka hapur kontroll tek bizneset tona dhe ne ju kemi përgjigjur kësaj kërkesë për kontroll dhe jemi për t’i ofruar të gjithë dokumentacionin ku edhe ju kemi ofruar, ndërkohë gjatë kontrollit edhe në disa raste kur kanë arritur raportet e kontrolleve, janë rritur çmimet duke u thirrur në atë se është marrë vlera e hapur e tregut në bizneset që merren me veprimtarinë e shitjes së cigareve pa dhënë asnjë arsyetim se nga cilat biznese”, u shpreh ai.