Shitja e “Bayraktar”-it, porositë e mbyllura për tri vjet

15 gusht 2022 | 12:58

Duket se kërkesa për dronët turq “Bayraktar TB2” është rritur ndjeshëm. Kompania turke “Baykar Makina Sanayi ve Ticaret AS”, e cila furnizon Ukrainën me dronë, ka njoftuar se aktualisht ka një numër të madh të porosive për tri vjet. Sipas kompanisë, ajo ka kapacitetin për të prodhuar 20 dronë në muaj.

“Dronët ‘TB2’ dhe ‘Akinci’ janë prodhuar në masë. Ne kemi kërkesë për të dyja. Për ‘Bayraktar TB2’ kemi kontrata eksporti me 22 vende të ndryshme”, ka thënë menaxheri i kompanisë private, Haluk Bayraktar, në një intervistë për fondacionin ukrainas “Come Back Alive”.

Bayraktari, i cili po punon gjithashtu në një projekt luftarak pa pilot të quajtur “Bayraktar Kizilelma”, ka thënë se dëshiron të rrisë më tutje kapacitetin e tij prodhues dhe shpreson ta bëjë këtë duke ndërtuar një fabrikë në Ukrainë.

Kujtojmë se kompania turke ka blerë tokë në Ukrainë dhe ishte regjistruar si person juridik, me qëllim të ndërtimit të një fabrike për prodhimin e mjeteve ajrore pa pilot “Bayraktar”.

Bayraktar, i cili është vëllai i dhëndrit të presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, Selcuk Bayraktar, ka thënë se kompania dëshiron të ndërtojë dronë “TB2”, “Akinci” dhe “Kizilelma Fighters” në Ukrainë. Ndërtimi i një objekti kërkimor dhe një qendre prodhimi të avancuar tashmë është duke u zhvilluar. “Ne e shohim Ukrainën si partnerin tonë strategjik. Ne gjithashtu duam ta bëjmë Ukrainën një bazë prodhuese”, ka thënë Bayraktari.

Siç ka raportuar “Bloomberg”, Turqia ka arritur të mbajë marrëdhënie të mira si me Ukrainën ashtu edhe me Rusinë këtë vit. Edhe pse Turqia furnizon Ukrainën me dronë të armatosur, eksportet e këtij shteti në Rusi kanë arritur një nivel më të lartë tetëvjeçar prej 2.9 miliardë dollarësh në gjysmën e parë të 2022.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Thatësira e verës dhe temperaturat e larta po godasin me…