Shiu dëmton rreth 70 për qind të tokave të mbjella me rrush në Rahovec
Rreth 2 hektarë tokë, Jusuf Veliu nga Rahoveci i ka të mbjella me rrush.
Por, reshjet e shumta të shiut dhe breshrit gjatë muajit qershor i kanë sjellë dëme të mëdha që, sipas tij, do të ndikojnë në ulje të rendimenteve dhe kualitet të rrushit, raporton “KTV”-ja.
Veliu tregon se problem tjetër mbeten edhe barnat bujqësore, të cilat janë të kualitetit më të dobët.
Për dëmet nga reshjet dhe breshri, gjatë vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte ndarë rreth 1 milion euro, para të cilat gjatë vitit 2019 u janë dhënë në shfrytëzim bujqve.
Kryetari i Shoqatës së Vreshtarëve, Habib Dina, thotë se kanë kërkuar ndihmën e Komunës, por edhe të Qeverisë së Kosovës.
Por, në Komunën e Rahovecit thonë se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për t’i ndihmuar fermerët dhe prandaj i janë drejtuar Qeverisë së Kosovës, derisa ministrja e Bujqësisë, sipas tyre, u ka premtuar përkrahje.
Nga Zyra e Kryeministrit, përmes telefonit, i kanë thënë” KTV”-së se varësisht nga buxheti, do të mundohen t’i përkrahin vazhdimisht fermerët dhe bujqit.
Vërshimet nga shiu gjatë qershorit, kanë shkaktuar dëme materiale edhe në disa komuna të tjera të Kosovës.