Shkaktarë për dhjetëra vdekje, Parisi bëhet kryeqyteti i parë në Europë që ndalon skuterët me qira
Parisi është kryeqyteti i parë në Europë që ndalon totalisht dhënien me qira të skuterave elektrike, për shkak të rritjes së numrit të viktimave dhe të lënduarve me këto mjete gjatë viteve të fundit.
Skuterët elektrikë të aksesueshëm nga telefonat inteligjentë nëpërmjet aplikacioneve, mbërritën në kryeqytetin francez në vitin 2018 dhe bashkia kërkoi të rregullonte përdorimin e tyre në vitin 2020 me ligje të caktuara, duke kufizuar numrin e operatorëve të autorizuar në tre.
Por pas dy vitesh Këshilli i Qytetit të Parisit inkurajoi qytetarët që të mos i përdornin, duke shprehur keqardhjen që aksidentet ishin rritur me 189% që nga viti 2019.
Më pas në referendumin e bashkisë për heqjen e tyre nga përdorimi, pro ndalimit votuan gati 90% e votuesve që iu drejtuan qendrave të votimit.