Shkaktoi aksidentin ku humbi jetën një person – arrestohet zyrtari policor
Inspektorati Policor i Kosovës, të dielën, ka njoftuar se një zyrtar policor është arrestuar nën dyshimin se kishte shkaktuar aksident trafiku në rrugën Prishtinë-Fushë-Kosovë, në orët e vona të së shtunës.
Polici i arrestuar dyshohet për veprën penale “rrezikim i trafikut publik” në aksidentin ku humbi jetën një person.
Zyrtari policor, sipas IPK-së, ishte me veturë civile dhe jashtë detyrës zyrtare.
“Bazuar në veprimet hetimore dyshohet se shkaktar i aksidentit është zyrtari policor i cili është arrestuar sot në orët e mbrëmjes me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ‘rrezikim i trafikut publik’.
Zyrtarit policor me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Aksidenti me fatalitet ndodhi rreth orës 23:00 të shtunën ku u përfshinë katër automjete.
Nga aksidenti mbetën të lënduar 5 persona të cilët morën tretman mjekësor.