Shkaktoi aksidentin në Kroaci ku humbën jetën motër e vëlla, shqiptarja dënohet me katër vite burg
Të martë, 29-vjeçarja Klevisa Ymeri është paraqitur para Gjykatës së Dubrovnikut për t’u njohur me vendimin lidhur me aksidentin tragjik që ndodhi në prill të vitit 2024, ku humbën jetën motër e vëlla.
Ymeri u shpall fajtore për shkaktimin e aksidentit dhe u dënua me 4 vite burg, përfshirë periudhën e qëndrimit në paraburgim.
Vendimi lejon apel brenda 15 ditëve nga dita e pranimit, ndërsa ndaj urdhrit të paraburgimit mund të parashtrohet ankesë brenda 3 ditësh, sipas raportimeve nga mediat vendase.
Aksidenti ndodhi më 9 prill, kur Ymeri, duke udhëtuar me një shpejtësi prej rreth 170 km/orë, kreu një parakalim të gabuar që rezultoi në përplasjen fatale me automjetin ku po udhëtonin Stejpan Derek, 21 vjeç, dhe motra e tij, Katarina Derek, 19 vjeçe. Të dy humbën jetën si pasojë e përplasjes.
Ymeri, e njohur në rrjetet sociale për jetën e saj luksoze, tani përballet me pasojat ligjore të kësaj tragjedie.