Shkaku i koalicionit me LDK-në, Isufi dhe Bulliqi japin dorëheqje
Shpejtim Bulliqi dhe Florim Isufi, të cilët kanë qenë të ngarkuar për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, kanë dhënë dorëheqje nga komisioni për shënjimin e kësaj vije. Për këtë dorëheqje ka njoftuar, në profilin e vet në “Facebook”, Florim Isufi, i cili ka dhënë edhe arsyet që, sipas tij, e kanë nxitur ta marrë këtë vendim.
“Një joseriozitet i politikës kosovare karshi politikës së shteteve fqinjë, dëmtonte pa masë aktivitetin dhe mundimin e komisionit për përmirësimin e gabimeve të bëra nga komisioni paraprak. Përkundër vështirësive, komisioni arriti që të siguroj dhe publikoj në raportin e veçantë materiale me mbi 800 faqe, të cilat ishin zyrtare dhe të krijuara nga institucionet relevante shtetërore dhe politike të Kosovës. Raporti në gjuhen angleze tani është i vendosur në të gjitha bibliotekat kryesore të shumicës së shteteve perëndimore, si dhe në bibliotekën e Kongresit Amerikan”, ka shkruar Isufi.
Isufi ka shtuar se më 11 mars kanë paraqitur dorëheqjen para kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, së bashku me kreun e komisionit, Shpejtim Bulliqin.
Sipas tij, dorëheqja është si pasojë e koalicionit të ri dhe LDK-së.
“Komisioni duke i parë gjitha këto, dhe jo angazhimin e politikës së jashtme të Kosovës nga qeveria e kaluar për organizimin zyrtarë të takimeve të komisionit të përbashkët për fillimin e korrigjimit brenda afatit të caktuar me marrëveshje, dhe duke parë gatishmërinë e kësaj politike për të neglizhuar punën praktike të këtij komisioni, ne që më datë 11.03.2020, kemi paraqit dorëheqjen nga ky komision pran kryeministrit të Republikës së Kosovës. Dorëheqja është pasoj edhe e koalicionit të ri, ku pjesë e qeverisë është një parti e cila me egërsi të pa parë e mbronte delimitimi/”demarkimin” e vijës kufitare sipas marrëveshjes së vitit 2015”, ka shkruar Isufi.