Shkalla e parë e sistemit gjyqësor të Kosovës zgjidh vetëm 31 për qind të lëndëve të korrupsionit në 2022-n

12 maj 2023 | 13:10

Lëvizja FOL me mbështetjen e Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, ka publikuar të premten raportin “Performanca e Sistemit Prokurorial dhe Gjyqësor në Zgjidhjen e Lëndëve të Korrupsionit gjatë vitit 2022”, i cili adreson çështjen e performancës së këtyre dy sektorëve në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit gjatë periudhës janar – dhjetor 2022, si dhe shtjellon nivelin e ngarkesës së punës së këtyre institucioneve në zgjidhjen e këtyre lëndëve.

Sipas këtij raporti, shkalla e parë e sistemit gjyqësor të Kosovës gjatë vitit 2022 ka pasur në punë gjithsej 268 lëndë të korrupsionit, numër ky që në raport me vitin 2021 (ku ishin 383 lëndë në punë) ishte zvogëluar për 20 për qind. Prej këtyre lëndëve të korrupsionit në punë, 59 për qind kanë qenë të bartura nga vitet paraprake, ndërsa 41 për qind kanë qenë lëndë të reja të krijuara gjatë vitit 2022.

“Nga 268 lëndët e korrupsionit në punë, shkalla e parë e sistemit gjyqësor ka arritur të zgjidh 81 lëndë, apo vetëm 31 për qind të të gjitha lëndëve që i ka pasur në punë gjatë vitit 2022. Ndërsa pjesa tjetër prej 184 lëndëve, apo 69 për qind të tyre, kanë mbetur të pazgjidhura dhe janë bartur për vitin 2023”, thuhet në këtë raport.

Këto shifra tregojnë për ulje të nivelit të zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit nga ana e shkallës së parë të sistemit gjyqësor, në krahasim me vitin 2021, ku këto institucione kishin zgjidhur 38 për qind të lëndëve të korrupsionit që i kanë pasur në punë.

Nga 81 lëndët e zgjidhura gjatë këtij viti, janë nxjerrë 41 aktgjykime fajësuese, 23 aktgjykime liruese, 4 aktgjykime refuzuese, si dhe 14 lëndë janë zgjidhur në mënyra të tjetra.

“Gjatë kësaj periudhe, 42 persona janë dënuar më burgim, 22 persona janë dënuar me kusht, 31 persona janë dënuar me gjobë, ndërsa për 5 persona është shqiptuar dënimi plotësues: ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike”, është theksuar në raport.

Albana Hasani, hulumtuese e lartë në Lëvizjen FOL tha se raporti është bazuar në të dhënat statistikore zyrtare të pranuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës për vitin 2022, ndërsa për matjen e performancës së këtyre institucioneve mbi bazën e këtyre statistikave zyrtare, Lëvizja FOL ka përdorur metodologjinë e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ).

“Duhet të bëhet e çartë se raporti nuk përfshinë cilësinë e lëndëve, apo cilësinë e punës së prokurorive dhe gjykatave, por ajo shtrihet vetëm në matjen kuantitative të tyre”, ka thënë Hasani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova e ka mbyllur pa medalje pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror…