Shkarkimi i ambasadorëve, Bilall Sherifi: Vetëm pse nuk është instrument i tij, Kurti e shkarkoi Nait Hasanin
Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka reaguar në lidhje me shkarkimin e ambasadorëve politikë nga Qeveria Kurti.
Sherifi ka thënë se që kur ka ardhur në pushtet Albin Kurti është shndërruar në të kundërtën e atij që paraqitej sa ishte në opozitë duke grumbulluar rreth vetes vetëm njerëz që i shërbejnë atij dhe i ka emëruar në pozita të larta shtetërore edhe persona që në kohë të vështira të popullit ishin në anën e kundërt të historisë.
“Ndërkaq, vetëm për arsye se nuk është instrument i tij, Albin Kurti e shkarkoi Nait Hasanin nga detyra e ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, edhe pse botërisht dihet se Nait Hasani ishte një ndër figurat më të rëndësishme të rezistencës kombëtare dhe pjesë e atyre që krijuan historinë moderne të Kosovës”, ka shkruar Bilall Sherifi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka shtuar se shkarkimi i Nait Hasanin, me të cilin ka ndarë edhe tmerret nëpër burgjet serbe, dëshmon se për Albin Kurtin i mirë është vetëm ai i cili i shërben personalisht atij.