Shkarkimi i bordit të RTK-së, deputetët e AAK-së i drejtohen Gjykatës Kushtetuese
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka bërë me dije se ka dorëzuar kërkesën në emër të dhjetë deputetëve për vlerësimin e kushtetueshmërisë të vendimit të Kuvendit për shkarkimin e bordit të RTK-së.
Ai ka thënë se kanë bërë një elaborim juridik ligjor, ku sipas tij shihet që ka shkelje serioze të procedurës së shkarkimit të bordit të RTK-së. Në këtë kontekst, Tahiri ka thënë se presin nga Gjykata Kushtetuese të merr vendimin meritor.
“Si deputet dhe si politikan nuk më takon të jap asnjë vlerësim për atë se çfarë vendimi merr Gjykata Kushtetuese, mirëpo kemi arsyetuar mendimin që procedura ka qenë e jashtëligjshme. Kërkesa është nënshkruar nga deputetët e AAK-së dhe deputetëve tjerë, duke u shprehur përmes saj se shkarkime të tilla bordesh përveç që nuk janë ligjore ato janë edhe tendencioze.
Veprimet e tilla janë të papranueshme dhe tërësisht në dëm të Kosovës. Ne besojmë se situata duhet të analizohet thellë në specifika përpara se të merren vendime të tilla”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”. Kujtojmë se kundër shkarkimit të bordit janë deklaruar edhe partitë tjera opozitare dhe Ambasada e ShBA-së në Prishtinë.
Po ashtu, edhe ish-anëtarët e bordit të RTK-së e kanë kundërshtuar vendimin e Kuvendit, konkretisht të shumicës parlamentare- Lëvizjes Vetëvendosje, duke e cilësuar një vendim të tillë arbitrar, antiligjor dhe antikushtetues.