Shkarkimi “i vonuar” dhe milionat “në duart” e ushtruesve të detyrës
Përkundër që Kodi i Punës i Korporatës Energjetike parasheh vendimmarrje brenda 6 muajsh, bordi vendosi për shkarkimin e Nagip Krasniqit nga pozita e kryeshefit, saktësisht 365 ditë pas pezullimit nga detyra.
Pos vendimmarrjes për shkarkim ose kthim në detyrë, të cilat i parasheh ky akt i brendshëm i KEK-ut – bordi shkeli edhe afatin e funksionimit me ushtrues detyre të kryeshefit.
Kohë të çuar dëm e vlerësoi këtë periudhë gazetari Zekirja Shabani, i cili vonesën në vendimmarrje e ndërlidhi me atë që e quajti besim të Qeverisë në pafajësinë e Krasniqit.
“Vendimi i djeshëm është shumë i vonuar, sidomos në kohën kur po flasim për investime potenciale në KEK, të nevojshme për të operuar, për të mbajtur gjallë KEK-un, dhe për të mos pasur dilema se me një drejtor tjetër ish bë më mirë ose me këtë drejtor ishte bë më mirë, por kemi pasë fatin e keq me operua me një drejtor në burg e me shpresua që kthehet një ditë, por u pa që krejt koha u harxhua kot”, tha Shabani.
Pa paragjykuar epilogun e hetimeve ndaj tashmë ish-kryeshefit, Shabani foli për implikimet në aspektin menaxherial, pasi këtë vit ishin paraparë rehabilitime të thella në të dyja termocentralet, në vlerë totale rreth 200 milionë euro.
“Një drejtor që nuk varet prej kryeministrit, që nuk varet shumë prej politikës, për shkak se KEK-u ka nevojë për investime të mëdha dhe domosdo ka nevojë për profesionistë. Nuk ka nevojë për politikanë brenda KEK-ut. Prandaj, krejt kjo zvarritje më shumë ngjan me një plan të politikës për të mos bërë asgjë në KEK, sesa me një vizion për të zhvilluar KEK-un”, tha Shabani.
Pasi tha se partia në pushtet ka shkelur parimet e saj në rastin e Krasniqit, drejtori i organizatës Çohu, Arton Demhasaj, vlerësoi se mos-zgjedhja me kohë e kryeshefit të ri pengon planet investive.
“Ndërmarrja kryesore publike që është KEK-u, më profitabilja, me buxhetin më të madh, me mbetë një vit me ushtrues detyre, dhe, potencialisht kjo mund të zgjasë edhe tre apo katër muaj derisa të kryhen procedurat e drejtorit të ri, d.m.th. kjo tregon se çfarë serioziteti ka pasur qeverisja e tanishme sa i përket KEK-ut”, tha Demhasaj.
Më 19 Prill 2023, Nagip Krasniqi ishte arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës, ushtrim ndikimi dhe konflikt interesi.
Ai ishte suspenduar gjashtë ditë më vonë, 25 Prill të vitit të kaluar – ndërsa, sipas njoftimit, konkursi për kryeshefin e ri pritet të shpallet ditët në vijim.
Prokuroria nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Krasniqit, ndërsa ai aktualisht është i lirë dhe ndaj tij nuk ka ndonjë masë kufizuese.