Shkarkimi tregon që Osmani është kandidate serioze për kryetare të LDK-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dje (20 qershor, 2020) përmes një letre dërguar Këshillit të Përgjithshëm, ka propozuar që Vjosa Osmani të shkarkohet nga pozita e nënkryetares së këtij subjekti politik.
Pas procesit të votimit online, LDK ka dalë me një njoftim ku ka treguar se nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm janë përgjigjur 99 anëtarë, prej tyre 92 janë shprehur për (Po); 3 janë shprehur kundër (Jo), 4 kanë abstenuar dhe 24 nuk janë përgjigjur, s’kanë marrë pjesë në votim.
Mirëpo sipas publicistit Nexhmedin Spahiu, ky inicim për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozitat drejtuese të LDK-së, definitivisht do ta dëmtojë vet subjektin politik.
Për klankosova.tv, ai thekson se rezultati i votimit për shkarkimin e Osmanit është dështim i Mustafës dhe se ajo tashmë është kandidate serioze për zgjedhjet e brendshme të LDK-së për ta drejtuar partinë.
“Votimi për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozitat drejtuese të LDK-së është një luftë e brendshme politike brenda këtij subjekti politik. Ajo në bazë të cilës LDK-së i ka shtuar më së shumti vota – nuk i jepet mandati për kryeministre – plus edhe shkarkohet”.
“Në fakt rezultati i votimit nuk tregon që ajo është një figurë përçarëse, por që ajo ka një peshë bajagi të madhe në LDK”.
“Nga 123 vota në Këshillin e Përgjithshëm drejtues të LDK-së, vetëm 70 ishin për shkarkimin e saj: që do të thotë që ky inicim për shkarkim ka qenë një dështim i Isa Mustafës duke marrë parasysh që ai në fakt drejton Qeverinë e Kosovës sepse e ka zgjedhur njeriun e vet aty – Avdullah Hotin”.
“Nga rezultati i votimit del se Vjosa Osmani ka një autoritet jo vetëm në mesin e anëtarësisë së gjerë të LDK-së dhe simpatizantëve të saj që është dëshmuar në zgjedhjet e 6 tetorit, por edhe në organin e LDK-së më të lartë drejtues”.
Sipas profesorit Spahiu, ndarje të partisë nuk do të ketë, por kjo bën që në zgjedhjet e ardhshme, Osmani me qenë kandidate serioze për kreun e partisë.
“Mendoj që ajo tashmë ka përkrahje të mjaftueshme për me qenë kandidate për kryetare të partisë, kështu që ky inicim për shkarkim shkon në favor të saj”.
Ai konsideron që në këtë rast, votat kundër, abstenimi dhe mospjesëmarrja në votim e kanë të njëjtën vlerë – mospërkrahjen për shkarkimin e Vjosa Osmanit.
“Mustafa në këtë moment është në kulmin e fuqisë së tij politike sepse drejton Qeverinë, ka përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të dialogut me Serbinë, është kryetar i LDK-së; megjithatë nuk ka arritur t’i sigurojë më shumë se 57 për-qind të votave për shkarkimin e rivales së tij”.