Shkarkohet Agron Beka nga pozita e anëtarit të KPK-së
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro shkarkimin e Agron Bekës nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Për shkarkimin e Bekës kanë votuar 62 deputetë ndërsa s’ka pasur asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Fillimisht, kryetari i Parlamentit, Glauk Konjufca, kishte thënë se kanë votuar 60 për shkarkimin e tij dhe një ka abstenuar, por pasi janë shikuar pamjet e kohës së votimit është vërtetuar se 61 vota kanë qenë për shkarkimin e Bekës.
Pastaj është përsëritur votimi dhe propozimi ka marrë shumicën e votave për shkarkimin e Bekës.
“Me 62 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenuese, Kuvendi e shkarkoi Agron Bekën nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës”, ka thënë Konjufca.
Më 25 shtator të këtij viti është miratuar rekomandimi për inicimin e shkarkimit të anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Agron Beka, nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.