Shkarkohet Kryeshefi i “Hidrodrinit”
Qeveria që vet e pat emëruar, tani e ka shkarkuar kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes publike ‘KRU Hidrodrini’, Dri Cena.
Kjo është bërë e ditur përmes një postimi në Facebook nga kjo ndërmarrje.
Sipas vendimit, shkarkimi i Cenas ka ardh si pasojë e rezultateve negative gjatë udhëheqjes së tij në ndërmarrje.
“Pas vlerësimit negativ të performancës që BDI bën KE për punën provuese 6 mujore në dhjetor të vitit 2024, atij i zgjatet kontrata e punës me qëllim që të reflektojë dhe të përmirësojë sjelljen e tij udhëheqëse. Bordi këtë vendim e arsyetoi se KE ka mungesë përvoje në udhëheqje të ndermarrjeve publike”, thuhet në vendim.
“Megjithatë, përgjatë 6 muajve të vitit 2024, ai nuk ka treguar vullnet, përpjekje e as shenja për përmirësim. Pozita financiare e ndërmarrjes është pavolitshme për shkak të rritjes së shpenzimeve dhe dështimit në rritjen e inkasimit sipas planifikimit në plan të biznesit. Performanca e dobët qëndron kryesisht për shkak të mos përmbushjes së dy objektivave kryesore të specifikuara në PB, siç janë: dështimi në redukimin e humbjeve të ujit, dështimi në zvogëlimin e llogarive të arketueshme dhe dështimi në rritjen e të hyrave. Përkundrazi, caqet e synuara kanë marrë kahje të kundërt”, vijon vendimi.
Në vendim tutje thuhet se Cena ka shkaktuar parregullsi të ndryshme në kontabilitet dhe ka tentuar ta vë në lajthitje bordin.
“Bordi ka humbur besueshmërinë për shkak të parregullsive të vazhdueshme në kontabilitet, në raportimin e të dhënave zyrtare dhe në analiza të ndryshme, që konstatohen edhe me raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe me raportin e auditimit nga ana e ARRU. Raportimet e pasakta kanë vënë bordin në lajthitje për të marrë vendime që kërcënojnë seriozisht qëndrueshmerine financiare në vitin fiskal 2024”, thuhet tutje.