Shkarkohet kryeshefi i ‘Parking Prishtina’
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se kryeshefi ekzektuiv i NPL Prishtina Parking është shkarkuar, duke dalë në kundërthënie me këtë të fundit i cili tha se ka dhënë dorëheqje për siç ka thënë për “shkak të presioneve që ka pasur nga aksionarët e Kuvendit Komunal”.
Kryetari Rama në një status në Facebook ka thënë se Restelica është shkarkuar pas një mbledhje të jashtëzakonshme të Bordit të Drejtorëve të kësaj kompanie.
Njoftimi i plotë i Ramës:
Shkarkohet nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të NPL Prishtina Parking, z. Liridon Restelica.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, Bordi i Drejtorëve të NPL “Prishtina Parking” ka konstatuar se veprimet e Kryeshefit Ekzekutiv, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri tek mospërfillja e Bordit të Drejtorëve, kanë shkaktuar keqmenaxhim të përgjithshëm të ndërmarrjes dhe kanë cenuar imazhin e NPL “Prishtina Parking”.
Vendimi për shkarkimin nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv, z. Liridon Restelica, hyn në fuqi sot, me datë 22.08.2022.