Shkarkohet kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ia kundërshtoi ligjin anti-korrupsion presidentit ukrainas
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, e ka shkarkuar kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, i cili ka kundërshtuar disa reforma kundër korrupsionit, duke e cilësuar veprimin e tij si kërcënim për sigurinë kombëtare.
Presidenca dhe gjykata e udhëhequr nga kryetari i deritashëm, Oleksandr Tupytskyi ishin përfshirë në një mosmarrëveshje që nga viti i kaluar në lidhje me legjislacionin kundër korrupsionit. Kjo mosmarrëveshje e pengoi Ukrainën për të siguruar hua të jashtme.
Zelenskiy nënshkroi një dekret për shkarkimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese që ishte në këtë post që nga viti 2013, kur ishte emëruar nga presidenti i atëhershëm i Ukrainës, Viktor Yanukovich, shkruan Reuters.
“Gjykatës të caktuar të Gjykatës Kushtetuese të Ukrainës, të emëruar nga Viktor Yanukovich, që po vazhdojnë ta ushtrojnë autoritetin e tyre, paraqesin kërcënim për pavarësinë shtetërore dhe sigurinë kombëtare të Ukrainës”, thuhet në dokumentin e publikuar në uebfaqen e presidencës.
Gjykata Kushtetuese në tetor të vitit të kaluar vendosi kundër disa ligjeve anti-korrupsion, duke thënë se dënimet për të dhëna të rreme në deklarimin e pasurisë së zyrtarëve janë të tepërta.
Tupytskyi në të kaluarën e ka akuzuar presidentin ukrainas se po përpiqet të bëjë puç kushtetues përmes shkarkimit të tij.
Gjykatësi i shkarkuar është nën hetime në një rast për ndërhyrje në dëshmitar, të cilin e ka cilësuar të falsifikuar dhe të motivuar politikisht.