Shkarkohet Panucci, ky pritet të jetë trajneri i ri
Humbja e Shqipërisë me Turqinë ka qenë fatale për trajnerin Christian Panucci. Trajneri italian është larguar nga kombëtarja kuqezi në prag të ndeshjes me Andorrën.
Ka qenë Federata Shqiptare e Futbollit që ka njoftuar zgjidhjen e kontratës mes tyre me marrëveshje dhe e kanë falënderuar për bashkëpunimin deri më tani. Ndërkohë që drejtimin e skuadrës për ndeshjen e ardhshme në Andorrë e merr Ervin Bulku dhe Sulejman Mema.
“Federata Shqiptare e Futbollit njofton se ditën e sotme ka ndërprerë zyrtarisht bashkëpunimin me trajnerin Christian Panucci. E falenderojmë trajnerin Panucci për punën e zhvilluar deri më tani dhe i urojmë suksese në vazhdimin e karrierës. Ekipi kombëtar në ndeshjen e dytë zyrtare eliminatore kundër Andorrës në transfertë do të drejtohet nga Ervin Bulku dhe Sulejman Mema, si edhe pjesa tjetër e stafit aktual”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.
Kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Shqipërisë është ish-trajneri i Napolit, Edi Reja, i cili ishte në “Loro Boriçi” duke ndjekur ndeshjen ndaj Turqisë dhe më pas ka zhvilluar një takim me presidentin Armando Duka.